Gati të gjitha degët partiake të Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) janë deklaruar kundër koalicionimit të kësaj partie me VMRO-DPMNE-në, njoftojnë burime partiake, transmeton gazeta Lajm.
“Vetëm 2-3 degë kanë sjellur vendime ku thuhet se do të përkrahin çdo vendim që do të marrë kryetari i partisë, Ali Ahmetit. Degët tjera ia kthyen shpinën Ali Ahmetit dhe Musa Xhaferit dhe në asnjë farë mënyre nuk pranojnë koalicion me VMRO-DPMNE-në”, kanë deklaruar këto burime partiake.
Sipas tyre, në mbledhjet dhe koordinimet e degëve të BDI-së ka pasur revoltë dhe vërejtje se pse Ali Ahmeti dhe Musa Xhaferi ende taktizojnë në negociatat me VMRO-DPMNE-në, e nuk dalin me qëndrim të qartë se nuk bëjnë koalicion me Gruevskin. Shumë përfaqësues të degëve kanë kërkuar që të ngritet iniciativë për shkarkim urgjent nga postet partiake të Artan Grubit dhe Bujar Osmanit për shkak të qëndrimeve të tyre lidhur me formimin e qeverisë së re.