
Nikolla Gruevski nuk e ka ndërmend të bëj Qeveri, ai po harxhon kohën të cilën ia garanton Kushtetuta për të pasur mandatin. Kështu ka deklaruar akademiku Abdylmenaf Bexheti në emisionin “Arena”, në të cilën ka shtuar se në fund të krejt kësaj, do të kërkohet një zgjidhje tjetër, e cila do të ishte ripërsëritje e zgjedhjeve parlamentare.
Duke folur për bisedimet që zhvillohen mes VMRO-DPMNE-së dhe BDI-së, Bexheti thotë se mungesa e transparencës i bën njerëzit edhe më kureshtarë për tërë këtë proces.
“Ka mundësi që fare të mos zhvillohen negociata serioze. Ka mundësi që në vend që të dizajnohen zgjidhje për ta formatuar Qeverinë, ndoshta dizajnohen skenarë të opsioneve të tjera alternative që ne fare nuk i kemi parasysh. Nuk është hera e parë, e as që nuk do të jetë e fundit që të ndodh ndonjë situatë e befasishme”, ka deklaruar akademiku Abdylmenaf Bexheti.
Sa i përket asaj se kujt i takon mandati, në rast se Gruevski nuk arrin të formon Qeveri, Bexheti tha se neni 90 i Kushtetutës është shumë i qartë. Madje, sipas tij, presidenti i shtetit ka bërë lëshim, me faktin që ja ka dhënë mandatin Gruevskit, pasi ofruar ndonjë dokument se e ka shumicën për formim të Qeverisë.
“Pyetja më e madhe është çka nëse nuk arrin? Kemi edhe skenare spekulative për dorëheqje të presidentit, për atë se kush do ta kishte zëvendësuar, dhe jo rastësisht atë ditë nuk dëshiruan që në bazë të ligjit të lejojnë që seancën konstitutive të Kuvendit ta udhëheq deputeti më i moshuar, por insistuan që seancën ta udhëheq kryetari i kaluar me qëllim etablimin e tij si president dhe më pas të pason pjesa e dytë e krizës politike”, ka shtuar ai.
Ai ka shtuar se duke parë veprimin e deritanishëm të presidentit të shtetit, çfarëdolloj vendimi që do të merr nuk do të ishte për t’u habitur. Për ta rrëzuar këtë skenar, Bexheti, thotë se LSDM duhet të siguroj shumicën prej 61 deputetëve me emër dhe mbiemër dhe pastaj të kërkoj mandatin.
Enis Murtezi /SHENJA/