Nënkryetarja e BDI-së Teuta Arifi konfirmoi lajmin e publikuar një ditë më parë në Alsat se parimi “fituesi me fituesin” nuk specifikohet në Marrëveshjen e majit të vitit 2007. Arifi vlerëson se pas rezultatit të zgjedhjeve është e padrejtë që partia e saj të thirret në emër të këtij parimi, për shkak të mos-pasjes së legjitimitetit të elektoratit shqiptar.
Kjo marrëveshje i ka pesë pika në të cilat, pika e pestë thotë se pas tejkalimit dhe pas kthimit të BDI-së në parlament do të bisedohet për format e formimit të Qeverisë. D.m.th. nuk është decid, nuk është precizuar. Ajo në këtë moment është vështirë e aplikueshme apo gati e paaplikueshme duke pasur parasysh faktin që nënkupton, nëse do të duam ta nënkuptojmë meqë në mënyrë precise nuk është e precizuar aty se duhet të kemi dy shumica të sakta dhe të qarta. Duke u nisur nga fakti se ne nuk kemi legjitimitetin absolut për të aplikuar këtë parim, tani ai është vështirë i aplikueshëm –deklaroi Teuta Arifi.
Ndryshe nga nënkryetarja e partisë, zëdhënësi Bujar Osmani thotë se respektimi i këtij parim është shumë i rëndësishëm. Megjithatë ai sqaron se BDI-ja përveç koalicionimit me VMRO-DPMNE-në po analizon edhe opsionet tjera.
Opsioni i parë që është koalicioni me VMRO-DPMNE ka argumentet “për” dhe “kundër”. Argument kryesor “për” dhe ndoshta arsyeja e vetme pse ulemi dhe bisedojmë dhe shohim atë mundësi të koalicionimit është parimi shumë i rëndësishëm fitues me fitues – tha Bujar Osmani, zëdhënës i BDI-së.
Nga ana tjetër, profesori Mersim Maksuti vlerëson se përderisa është e pashkruar dhe e pa përkthyer në ligje, parimi i koalicionimit “fituesi me fituesin” paraqet një marrëveshje të paqenë. Sipas tij, edhe po të ishte i shkruar në formë të ligjit, ky parim tani është i pavlefshëm pasi BDI-ja nuk ka marrë mjaftueshëm vota për të përfaqësuar vullnetin e shumicës.
Meqë kjo marrëveshje e majit 2007 nuk është publikuar deri tani, nuk është nënshkruar nga liderët politik dhe nuk ka reflektuar në ligje, në akte juridike si ato të Marrëveshja e Përzhinës, atëherë paraqet një marrëveshje joefektive, të paqenë dhe që nuk kërkon respektim. Parimi se fituesi me fituesin mund të bëjnë qeverinë, në rastin konkret VMRO dhe BDI nuk është i qëndrueshëm sepse demokracia kërkon që Qeverinë ta bëjë shumica – u shpreh profesori Mersim Maksuti.
Duke folur rreth Marrëveshjes së Majit dhe parimit ‘fituesit me fituesin’, vetë ish kryeministri Nikolla Gruevski, në vitin 2007 kishte deklaruar se bëhet fjalë për një proces verbal që nuk ka peshë të një dokumenti.
https://www.youtube.com/watch?v=grV1Y5KhQOM