Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet dënon me ashpërsi reagimin absurd të qeverisë greke ndaj rekrutëve shqiptarë. Ky reagim vërteton se Greqia është ende e ngërthyer në nacionalizmin e shekullit të shkuar, duke mos pranuar identitetin ndryshe të shtetasve të saj. Është e njëjta gjë sikur Shqipëria të mos pranonte në ushtri asnjë minoritar, e për më tepër të mendojë që këta shtetas do mund të ishin deputetë, kryetarë bashkie apo ministra që në Shqipëri i gjen shpesh.
Kujtojmë që në raste skandaloze, si parada zyrtare e ushtrisë greke, ku këndoheshin këngë që thërrisnin për vrasjen e shqiptarëve, qeveria greke nuk ndërmori të njëjtat veprime. Autoritetet shtetërore greke po rrëfejnë mosrespekt të thellë për të drejtat e njeriut, po na shfaqen me nota primitiviteti dhe atavizmi edhe përballë respektimit të shtetasve të vet.
Greqia është i vetmi vend europian që nuk njeh minoritetet dhe nuk pranon se një shtetas grek mund të ketë kombësi apo besim fetar të ndryshëm. Krimi i ushtruar ndaj shqiptarëve të Çamërisë tregon për një mentalitet që zë fill vite të shkuara e që vazhdon edhe sot.
PDIU i bën thirrje qeverisë shqiptare të njohë partnerët tanë në NATO mbi shkeljet e vazhdueshme që shteti grek bën ndaj bashkëkombësve tanë duke nisur nga shkelja e hapur dhe e vazhdueshme e të drejtave të njeriut ndaj shqiptarëve të Çamërisë. Kërkojmë gjithashtu që të bëhen me dije këto veprime në dhunim të drejtave të njeriut në instancat e Këshillit të Europës, OSBE, BE dhe OKB, ku respektimi i të drejtave të njeriut dhe minoriteteve ka një rëndësi primare.
24 janar 2017 (gazeta-Shqip.com)