Ministria e Brendshme nuk është njoftuar zyrtarisht nga avokati mbrojtës për keqtrajtimin e të akuzuarit Nasuf Beqiri në rastin “Lagja e Trimave”. Ministri i brendshëm Agim Nuhiu thotë se rastet për të cilat kanë siguruar dëshmi dhe prova, janë duke u proceduar. Ai kërkon nga avokatët që në raste të keqtrajtimit të klientëve të tyre, të bashkëpunojnë me MPB-në.
Duke marrë për bazë indikacionet në lidhje me akuzat që kanë të bëjnë me maltretimet e të akuzuarve për rastin e Kumanovës, prej informacioneve nga shtëpia juaj televizive, unë kam iniciuar tre procedura deri tek Kontrolli i brendshëm. U bëj thirrje avokatëve që për të kryer me sukses punën e tyre, është mirë që ata të bashkëpunojnë me ne, në drejtim të grumbullimit të fakteve dhe mjeteve si prova, me qëllim që të argumentohet gjithçka. Vetëm deklaratat para kamerave televizive nuk kanë efekte juridike – deklaroi ministri i Brendshëm, Agim Nuhiu.
Avokatët pranojnë se nuk kanë njoftuar zyrtarisht MPB-në për keqtrajtimet e klientëve të tyre, mirëpo thonë se rastet i kanë denoncuar tek gjykatësja e lëndës Verka Petkovska. Alsat M ditë më parë siguroi edhe dokumentet të cilët dëshmojnë se trupi gjykues është njoftuar për ankesat e mbrojtjes në lidhje me keqtrajtimet. Prokuroria Publike nuk ka njoftuar asgjë për hetimet e nisura ndaj pjesëtarëve të policisë për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe ushtrim të dhunës ndaj të akuzuarve./Alsat-m