Kryeministri i qeverisë teknike, Emill Dimitriev, ka thënë se është e logjikshme që fituesit të formojnë Qeverinë, duke shtuar se VMRO-DPMNE ka autorizuar liderin e partisë Nikolla Gruevski, që të udhëheqë bisedimet për formimin e qeverisë së re, dhe se deri në përfundim të afatit pas marrjes së mandatit, duhet të ketë ndonjë epilog. Dimitriev pret që të tejkalohet kriza dhe se pas formimit të Qeverisë së re, do të fillojë realizimi i projekteve që janë në interes të qytetarëve.
“Si të gjithë qytetarët, pres që të tejkalohet kriza. Askujt nuk i shkon përshtat situata e tensionuar ku institucionet janë në gërç politik, ndërsa qytetarët në pasiguri. Pres që e gjithë kjo të relaksohet pas formimit të qeverisë së re sepse ekzistojnë shumë nevoja që duhet të realizohen për qytetarët, që janë pjesë e programit me të cilën kemi fituar”, ka deklaruar Emill Dimitriev, kryeministër teknik.
Për të formuar qeverinë e re kanë mbetur edhe gjashtë ditë nga mandati 20 ditorë i mandatarit Nikolla Gruevski, por akoma mbetet e paqartë se në çfarë drejtimi po zhvillohen negociatat për formimin e Qeverisë së re. Javën e kaluar lideri i BDI-së, Ali Ahmeti, ka realizuar takime zyrtare me mandatarin Nikolla Gruevski dhe kryetarin e LSDM-së Zoran Zaev, megjithatë edhe pas takimeve ai nuk ka thënë asgjë konkrete rreth formimit të Qeverisë.
Teori të shumëta kanë qarkulluar në opinion. Mbështetës të VMRO-DPMNE-së kanë thënë se edhe mundësia e dytë duhet t’i jepet VMRO-DPMNE-së, pasi sipas tyre, në Kushtetutë nuk shkruan që nëse dështon mandatori i parë, pas tij mandati t’i jepet liderit të partisë së dytë me radhë.
E nga ana tjetër, ekspertët e të drejtës kushtetuese thonë se në bazë të ligjit, në qoftëse kryetari i VMRO-DPMNE-së nuk arrin të formojë Qeveri, atëherë ai duhet ta kthejë mandatin tek presidenti dhe presidenti t’ia japë mandatin fituesit të dytë të zgjedhjeve, në rastin konkret liderit të LSDM-së, Zoran Zaev. Nëse presidenti vepron ndryshe duke gjetur mënyra të tjera për të kthyer përsëri mandatin tek VMRO-DPMNE, atëherë partia e dytë duhet të arrijë marrëveshje, të sigurojë shumicë parlamentare dhe ta njofton presidentin e shtetit.