Mandatarit Nikolla Gruevski i ka mbetur edhe kjo javë në dispozicion për formimin e Qeverisë së re. Megjithatë deri më tani opinioni nuk është informuar akoma qartë nëse se në çfarë drejtimi po zhvillohen negociatat për formimin e Qeverisë.
Gjatë javës që lamë pas, lideri i BDI-së, Ali Ahmeti, takoi në zyrat e tyre, mandatarin Nikolla Gruevski dhe kryetarin e LSDM-së Zoran Zaev, por edhe pas këtyre takimeve Ahmeti nuk ka thënë asgjë konkrete rreth formimit të Qeverisë. Ndërkohë nga VMRO-DPMNE, kanë deklaruar se takimin mes Gruevskit dhe Ahmetit e konsiderojnë si fillim i negociatave për formimin e Qeverisë së re.
Ndërkohë, ekspertët e të drejtës kushtetuese thonë se në bazë të ligjit, në qoftëse kryetari i VMRO-DPMNE-së nuk arrin të formojë Qeveri, atëherë ai duhet ta kthejë mandatin tek presidenti dhe presidenti t’ia japë mandatin fituesit të dytë të zgjedhjeve, në rastin konkret liderit të LSDM-së, Zoran Zaev.
Nëse presidenti vepron ndryshe duke gjetur mënyra të tjera për të kthyer përsëri mandatin tek VMRO-DPMNE, atëherë partia e dytë duhet të arrijë marrëveshje, të sigurojë shumicë parlamentare dhe ta njofton presidentin e shtetit. Kryetari i shtetit do të jetë i obliguar që të përcaktohet për mandatar.
Por, nëqoftë se ai refuzon, atëherë kuptohet se Qeverinë e zgjedh Parlamenti dhe assesi nuk duhet të ketë më tutje obstruksione nga ana e kryetarit të shtetit. Çdo procedurë tjetër që të bëjë presidenti i shtetit, atëherë ai do të shkelë rëndë Kushtetutën.(INA)