Marrja e postit të presidentit të SHBA-së nga Donalt Tramp, nuk do të ndryshojë shumë qasjen e politikës së Amerikës kundrejt Maqedonisë dhe rajonit. Kështu vlerësojnë njohësit e rrethanave ndërkombëtare në vend. Politikologu Muhamed Jashari dhe ish-diplomati nano Ruzhin thonë se edhe gjatë udhëheqjes së presidentit Tramp me SHBA-në por edhe ndryshimeve tjera që ndodhin në Evropë, politikbërësit në Maqedoni, nuk amnestohen nga përkushtimet ndaj detyrimeve që i kanë pasur për reformat në vend të cilat janë kyçe për anëtarësim në NATO dhe BE.
“Këto edhe më tepër prioritet do ta kenë luftën kundër korrupsionit, tani është në trend formimi i PSP-së, Qeveria e re do ta ketë këtë sfidë, përpjekjet e saj për në BE dhe NATO, gjykatat e pavarura, korrupsioni, mendoj se këto edhe më tepër do të jenë çështje të cilat Bashkësia ndërkombëtare do ti kërkojë nga Maqedonia edhe pas Inaugurimit të Trampit”, ka deklaruar politologu Muhamed Jashari.
“Tramp do të jetë simboli i Amerikës së njëjtë të cilën e njohim deri më tani, ajo është do të thotë betejë thelbësore për të drejtat e njeriut, për shtetin juridik, për luftën kunër krimit, për sundimin e së drejtës dhe sipas kësaj përkrahje për Prokurorinë Speciale Publike dhe të gjithë elementet të cilat janë të emëruara si dosje të PSP-së”, ka thënë Nano Ruzhin, ish-diplomat.
Ekspertët Jashari dhe Ruzhin thonë se udhëheqja e SHBA-së nga presidenti Tramp nuk nënkpton edhe ndryshime të mëdha ndaj qasjes së Amerikës në rajon, por edhe ndaj qëndrimit për NATON.
“Kritikat të cilat Tramp i ka pasur me Naton, nuk janë kritika përmes të cilave kërkon të zhbëhet Nato por mendoj se më tepër janë kritika për mes asaj se si të riorganizohet edhe një herë NATO. Përndryshe para disa ditësh, sekretari i sapoemëruar i Mbrojtjes në administratën e re të Trampit, Xhejms Metis, pikërisht në lidhje me NATOn deklaroi se NATO edhe më tej mbetet prioritet kryesor dhe interesi vital i SHBA-ve”, ka shtuar politologu Jashari.
“Pak është i hidhëruar për politikën kritikuese të BE-së ndaj tij, dhe para së gjithash të shteteve udhëheqëse të BE-së. Por edhe imponoi një çështje të re, respektivisht të vjetër, dhe ajo është se NATO patjetër të jetë në funskion të interesave të SHBA-së, respektivisht se duhet të jetë e financuar në mënyrë të barabartë nga të gjithë dhe jo vetëm nga ana e SHBA-së”, ka shtuar më tej ish-diplomati Ruzhin.
Analistët thonë se SHBA do të vazhdoj të ketë prioritet paqen dhe luftën kundër terrorizmit në Botë dhe se udhëheqja e presidentit Tramp nuk ndryshojë shumë strategjinë e deritanishme për rajonin tonë sepse Ballkani nuk është çështje primare për të.
Mefail Ismaili /SHENJA/