Interpretimi i ndryshëm i Kushtetutës në lidhje me mandatarin për formimin e Qeverisë shkojnë vetëm në dëm të shtetit dhe në shkelje më të rënda të Kushtetutës qoftë nga presidenti i shtetit por edhe nga partitë që kanë fituar deputetë në zgjedhjet e fundit parlamentare. Sipas profsorit të të drejtës Kushtetuese, Osman Kadriut, nëqoftëse kryetari i VMRO-DPMNE-së nuk arrin të formojë Qeveri, atëherë ai duhet ta kthejë mandatin tek presidenti dhe presidenti t’ia japë mandatin fituesit të dytë të zgjedhjeve. Sipas profesorit Kadriu, nëse presidenti vepron ndryshe duke gjetur mënyra të tjera për të kthyer përsëri mandatin tek VMRO-DPMNE, atëherë partitë tjera kanë rrugëdalje tjetër.
“Partia e dytë duhet të arrijë marrëveshje, të sigurojë shumicë parlamentare dhe ta njofton presidentin e shtetit, nëse presidenti i shtetit, përsëri nuk e pranon një shumicë të tillë të përcaktohet për kandidat mandatarë, atëherë shumica e arritur do të kërkon nga kryesuesi, ta vazhdojë mbledhjen konstituive të parlamentit e cila nuk ka përfunduar, dhe në atë mbledhje të bëhet zgjedhje e kryetarit të Parlamentit dhe kryetari i Parlamentit në mënyrë zyrtare do ta njoftojë kryetarin e shtetit se shumica parlamentare është e arritur”, ka deklaruar Osman Kadriu, ekspert juridik.
Pas kësaj, sipas profesorit Osman Kadriu, Kyetari i shtetit do të jetë i obliguar që të përcaktohet për mandatar. Por nëqoftëse Ai refuzon, atëherë kuptohet se Qeverinë e zgjedh Parlamenti dhe assesi nuk duhet të ketë më tutje obstruksione nga ana e kryetarit të shtetit.
“Parlamenti ka shumicën e nevojshme parlamentare, do të zgjedh kryetarin e parlamentit, do të zgjedh komisionin kadrovik, ai është komisioni për çështjen e zgjedhjeve dhe emërimeve dhe atëherë komisioni për çështjen e zgjedhjeve do të propozojë qeverinë dhe programin e Qeverisë të cilat si dy pika do të duhet të kalojnë në seancë të veçantë të parlamentit. Kjo është rrugëdalje për të cilët mbështetje gjejmë në Kushtetutën aktuale”, tha më tej Osman Kadriu.
Sipas profesorit të të drejtës Kushtetuese, çdo procedurë tjetër që të bëjë presidenti i shtetit, atëherë ai do të shkelë rëndë Kushtetutës. Edhe gjatë ditës së sotme, nga VMRO-PMNE dhe BDI janë të heshtura rreth formimit të qeverisë, ndërsa mandatarit Nikolla Gruevski i kanë mbetur edhe 7 ditë kohë për ta formuar atë.