
Aferat e krijuara gjatë viteve, t’i lihen në dorë Prokurorisë Speciale dhe të fillojnë të funksionojnë gjërat, në mënyrë që të kthehet besimi tek qytetarët dhe të funksionojë shteti. Kështu mes tjerash tha Nazmi Maliqi gjatë debatit në emisionin “Arena” që mbrëmë u transmetua në Televizionin SHENJA. Ai shtoi se partitë politike kanë përvojë të mjaftueshme për të kuptuar momentin tejet të rëndësishëm në të cilin ndodhet vendi.
“Faktorizimi i tyre duhet të bëhet nëpërmjet politikave funksionale, mos t’u lihet vijave demagogjike dhe politikave në ajër, por me kërkesa të shtruara mirë . Një Qeveri me një platformë të zbatueshme që do të ketë kuptim edhe për deputetët e asaj shumice parlamentare”, tha analisti politik Nazmi Maliqi.
Ndërkohë, duke folur për të ardhmen e Prokurorisë Speciale,gazetarja Gordana Duvnjak tha se VMRO-DPMNE nuk e fsheh që është kundër punës së kësaj prokurorie, por theksoi se idetë për ndërprerjen e punës së PSP-së nëpërmjet Gjykatës Kushtetuese, janë ide tejet të rrezikshme.
“Megjithatë, nuk duhet të harrohet se në Prokurorinë Speciale janë investuar shumë mjete, shumë dije dhe shumë angazhim i huaj rreth funksionimit të kësaj prokurorie. Mendoj se pengesat do të vazhdojnë, por megjithatë nuk duhet të harrohet se nëse VMRO-DPMNE ia arrin që të bëjë Qeveri-, ajo nuk do të jetë Qeveria që do të bëjë ndryshime rrënjësore, pasi që për ndryshimet ligjore, nevojitet shumicë prej dy të tretave”, tha gazetarja Gordana Duvnjak.
Nga ana tjetër, duke e analizuar ndodhitë rreth rastit “Puç”, profesoresha universitare Arta Bilalli tha se tërheqja e aktakuzës për rastin ‘Puç’ është mundësi ligjore të cilën e parashohin dispozitat e ligjit të procedurës penale.
“Siç dihet, rasti ‘Puç’ është inicuar ndryshe, jo direkt nga Propuroria Speciale. Ata e kanë marrë nga Prokuroria e rregullt dhe tani nuk mjaftohen me ato prova me të cilat disponojnë. Ligji e mundëson tërheqjen nga ndjekja dhe në atë rast parashihet që gjykatësi individual apo Këshilli gjyqësor i përbërë nga tre gjykatës, në qoftë se bëhet fjalë për vepër për të cilën dënimi është mbi dhjetë vjet, të sjell vendim për ndërprerje të procedurës të cilin vendim ia dorëzon edhe të pandehurit edhe mbrojtësit, dhe poashtu parasheh që ai vendim t’i dorëzohet edhe të dëmtuarit”, tha profesoresha universitare, Arta Bilalli.
Megjithatë, profesoresha Bialli theksoi se Prokuroria Speciale duhet të ia sqarojë opinionit se a është kjo tërheqje nga ndjekja për këtë rast, apo është ndonjë institut special që po krijohet në këto kushte.
Abdulla Berisha /SHENJA/
Emisioni “Arena”: “VMRO nuk do ta shuajë… by tvshenjaofficial