
“Vizitë 7 ditore në banjë” dhe “Udhëtim falas për një fundjavë”, janë dy projektet që i ka organizuar Ministria për Punë dhe Politikë Sociale, për pensionistët. Projekti i parë ka filluar të implementohet që nga viti 2010, ndërsa i dyti nga viti 2015. Ministri i Punës dhe Politikës Sociale, Ibrahim Ibrahimi njoftoi se të gjithë pensionistët e interesuar kanë të drejtë ta shfrytëzojnë njërën ose të dyja ofertat, duke filluar aplikimin që nga sot. Afati i fundit i paraqitjes do të jetë 20 shkurti.
“Të gjithë pensionerët e interesuar, duke filluar nga sot, 20 janar deri më 20 shkurt të 2017-tës, mund të lëshojnë kërkes për shfrytëzim të këtyre dy projekteve, në zyrat e Fondit të pensioneve dhe sigurimit invalidor të Maqedonisë. Të drejtë shfrytëzimi të këtyre dy projekteve kanë shfrytëzuesit e pensioneve pleqërore, familjare dhe invalidore, të cilët jetojnë në Republikën e Maqedonisë”, tha ministri i Punës dhe Politikës Sociale, Ibrahim Ibrahimi.
Ibrahimi njoftoi se projekti, “Vizitë 7 ditore në banjë”, është një udhëtim 7 ditësh, përfshirë gjithë nevojat që pensionistët mund të kenë, ndërsa kjo do të realizohet nga muaji mars deri në muajin nëntor.
“Me këtë rast do të kujtoj se oferta e shkuarjes në banjë mund të shfrytëzohet një herë, për periudhën nga marsi deri në nëntor të 2017-tës, i cili zgjatë 7 ditë dhe përfshinë: 6 netë, me tri ngrënie në ditë, terapi, kontrollim shëndetësor i detyrueshëm dhe shpenzimet për udhëtim duke përfshirë biletën kthyese të autobusit, pas përfundimit të shërbimit”, theksoi Ibrahimi.
Ndërsa, projekti i dytë, “Udhëtim falas për një fundjavë”, tregoi Ibrahimi, veç tjerash e ka të organizuar edhe transportin prej vendit në të cilin jeton deri tek lokacioni i hotelit, që gjithashtu është i rezervuar, në kuadër të projektit.
“Oferta ‘Udhëtim falas për një fundjavë’, përfshinë dy net, me tri ngrënie në ditë dhe është organizuar transport me autobus, nga vendi që ata jetojnë deri në vendit e hotelit të rezervuar. Hotelet në të cilat do të realizohen këto oferta gjenden në vendet turistike edhe atë në: Ohër, Prespë, Berovë, Strugë dhe Krushevë”, tha ministri Ibrahimi.
Pensionistët që e kanë përdorur edhe vitet e kaluara njërën prej këtyre ofertave, nuk kanë të drejtë që të njëjtën ta shfrytëzojnë edhe këtë vit, në mënyrë që t’u lihet hapësirë për shfrytëzim të ofertës, atyre që nuk kanë pasur mundësi vitet e kaluara.
Për këto dy projekte Ministria për Punë dhe Politikë Sociale ka ndarë mjete financiare edhe atë, për projektin e parë 35 milion denarë dhe 3 milion denarë për projektin e dytë.
Emine Ismaili /SHENJA/
Pensionistët përfitojnë sërish privilegje nga… by tvshenjaofficial