Gjykata Administrative ka rrëzuar kërkesën e Dashamir Tahirit për sigurinë e padisë, teksa tani mbetet në fuqi vendimi i KQZ për heqjen e mandatit.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i hoqi rreth 1 muaj më parë mandatin e deputetit, Dashamir Tahirit, për mos deklarimet në formularin e vetëdeklarimit në lidhje me ligjin e dekriminalizimit.
Nëpërmjet avokatit, Fatmir Braka, ish-deputeti i Partisë Demokratike kërkonte pezullimin e ekzekutimit të vendimit të KQZ-së derisa çështje të shqyrtohej në themel.
“Vendimi i Gjykatës Administrative është jo i drejtë. Sot i jemi drejtuar edhe Gjykatës Kushtetuese për të ankimuar vendimin e KQZ-së”, tha avokati Braka.
Sa i takon padisë së ish-deputetit tjetër të prekur nga ligji i dekriminalizimit, Shkëlqim Selami, Gjykata Administrative do të mblidhet për ta shqyrtuar të hënën e datës 23 janar në ora 11:00. Edhe ish-deputeti i LSI-së, ka animuar në gjykatë heqjen e mandatit nga KQZ-ja.
20 janar 2017 (gazeta-Shqip.com)