Njohësit e rrethanave politike vlerësojnë se heshtja e ndërkombëtarëve në kohën kur po zhvillohen bisedimet për formimin e Qeverisë së re, është porosi e tyre se Maqedonia duhet që t’i kryejë vetë detyrat e shtëpisë. Analisti politik Petar Arsovski, tha se një ndër arsyet se pse ata nuk përfshihen në këto bisedime është fakti se për momentin mandati për formimin e Qeverisë ndodhet tek Gruevski, ndërkaq ky i fundit nëpërmjet deklaratave të tij, ka krijuar armiqësi tek bashkësia ndërkombëtare.
“Mendoj se më tepër ka të bëjë me porosinë ndaj Maqedonisë se ne duhet detyrat tona t’i kryejmë vetëm, kuptohet se Gruevski ka krijuar armiqësi tek bashkësia ndërkombëtare, kështuqë ata thënë kushtimisht kanë porositur se janë të nevojshme disa ndryshime, disa prej tyre edhe shumë eksplicite, mendoj se ajo është një pjesë e shumë arsyeve, megjithatë arsyeja kryesore është se ne duhet vetë t’i kryejmë detyrat tona ti kryejmë në shtëpi”, tha analisti politik, Petar Arsovski.
Ndërkaq, sipas analistit politik Ismet Ramadani, edhe pse është krijuar përshtypje se ndërkombëtarët po heshtin, në fakt ata janë duke punuar në këtë drejtim. Ramadani tha se ndërkombëtarët do të aktivizoheshin menjëherë në qoftë se presidenti Ivanov do të bënte ndonjë hile në këtë drejtim, dhe nëse i njëjti bëhet , siç tha ai, servil ndaj Nikolla Gruevskit.
“Kam përshtypjen se në këtë fazë po heshtin meqë mandatar është Nikolla Gruevski, dhe ata nuk duan të involvohen sepse involvimi i tyre duhet të jetë me ndonjë sukses. Dhe ata sigurisht që nuk janë të interesuar që Nikolla Gruevski të formojë Qeveri dhe të vazhdojë me postin e Kryeministrit, prandaj edhe heshtja e ndërkombëtarëve ndonjëherë është edhe porosi dhe duhet ashtu të lexohet”, tha analisti politik, Ismet Ramadani.
Sipas Ramadanit, ndërkombëtarët do të jepnin kontributin e tyre maksimal për formimin e një Qeverie e cila do të sillte ndryshime, dhe në të cilën ata besojnë se do ta kthenin Maqedoninë në rrugën e funksionimit normal dhe rrugëtimin euroatlantik.