Ministrja e Integrimit Europian, znj. Klajda Gjosha mori pjesë në mbledhjen e Komitetit të Monitorimit të fondeve të Instrumentit për Asistencën e Para-anëtarësimit (IPA). Në këtë mbledhje ishin të pranishëm edhe përfaqësues të lartë të Komisionit Europian.
Gjatë fjalës së saj Ministrja Gjosha theksoi se përpjekjet e përbashkëta për të siguruar zbatimin e efektshëm dhe në kohë të projekteve të IPA-s kanë bërë të mundur që prej dhjetorit të vitit 2016 te kemi 0 projekte problematike nga 7 të tilla që kishim në prill të vitit 2015.
Ministrja risolli në vëmendje rekomandimin pozitiv të dhënë nga Komisioni Europian në vjeshtën e vitit të shkuar, duke theksuar se ky rekomandim, u bë i mundur vetëm në sajë të miratimit konsensual të reformës në drejtësi.
Ministrja tha se në vijim çelja e negociatave me Bashkimin Europian do të varet pikërisht nga rezultatet e prekshme të kësaj reforme, veçanërisht zbatimi i ligjit të vettingut.
“Në këtë kontekst, vëmendja që i është kushtuar mbështetjes për implementimin e reformës në drejtësi është tejet e çmuar. Bashkimi Europian do të japë për Shqipërinë 19.1 milionë euro, prej të cilave 10 milionë euro do të shkojnë për zbatimin e vettingut”, tha Ministrja Gjosha.
“Mbështetja për rivlerësimin sa më transparent të gjyqtarëve dhe prokurorëve, e cila ka për qëllim të reduktojë ndikimin e krimit të organizuar, të politikës dhe korrupsionit në drejtësisë duke rritur cilësinë profesionale në sistem, do ta bëjë më të lehtë hapin tonë të radhës për tu afruar me Bashkimin Europian që është hapja e negociatave”, – vijoi Gjosha.
18 janar 2017 (gazeta-Shqip.com)