
Fati i të arrestuarve të rastit të Kumanovës dhe keqtrajtimet që u bëhen atyre, janë gjërat për të cilat këshilli i familjarëve të rastit të kumanovës, e kanë njoftuar ish ambasadorin e misionit vëzhgues të OSBE-së, gjatë luftës së Kosovës, Uilliam Uoker.
Uoker shprehi shqetësimin për gjërat që ka dëgjuar në lidhje me keqtrajtimet e të arrestuarve të rastit të Kumanovës. Sipas tij ky është një rast shumë serioz dhe i njejti është një test për administratën gjyqësore në Maqedoni. Ai tha se nëse Qeveria e Maqedonisë beson se njerëzit që janë të arrestuar për këtë rast kanë ardhur këtu që të shkaktojnë telashe, ka çdo të drejtë që t’i arrestoj ata, megjithatë sipas Uoker, pavarësisht kësaj nuk ka aspak të drejtë që të njejtit t’i abuzojë.
“Po mundohem të gjej se çfarë është thënë nga prokuroria, çfarë është thënë nga pala mbrojtëse dhe po mundohem që ta gjej se me cilat kushte janë trajtuar të akuzuarit, a janë trajtuar në mënyrë të drejtë dhe a kanë qasje tek familjarët e tyre. Po mundohem të shoh se si funksionon sistemi gjyqësor këtu. Unë shqetësohem nëse dëgjoj se herë pas here të burgosurit janë malltretuar. Mendimi im është se një shtet i civilizuar nuk lejon të ndodh një gjë e tillë. Ky është një rast serioz, është një test për administratën gjyqësore këtu në Maqedoni”, tha ish ambasador i misionit vëzhgues të OSBE-së, gjatë luftës së Kosovës, Uilliam Uoker.
Uoker, tha se shqetësimet e familjarëve të këtij rasti, do t’ua përcjellë organizatave joqeveritare dhe organizatave për të drejtat e njeriut.
Ndërkaq, përfaqësuesja e Këshillit të familjarëve të rastit të Kumanovës, Dashurie Sefa, tha se është shumë e kënaqur nga pritja e ish Ambasadorit. Ajo tha se të njejtin e kanë informuar për të gjitha zhvillimet që kanë ndodhur me grupin e Kumanovës.
“Ne si familjarë e kemi informu prej momentit kur ka ndodh rasti, e deri në ditën e sotme. E kemi njoftu për torturat që i ka përjetuar ky grup, deri në momentin kur ka ndodh ngjarja dhe janë dorëzu dhe të cilat vazhdojnë edhe sot, e sidomos gjatë transportit që u bëhet nga burgu në gjykatë dhe anasjelltas, për torturat që u bëhen çdo ditë nëpër burgje, e kemi njoftu për procesin gjyqësorë dhe për shumë gjëra tjera”, deklaroi përfaqësuesja e Këshillit të familjarëve të rastit të Kumanovës, Dashurie Sefa.
Ish Ambasadiri i Misionit të OSBE-së, ka ardhur në vizitë në Kosovë në përkujtimin e Masakrës së Reçakut, pas çka familjarët e të arrestuarve të rastit “Lagjja e Trimave ”në Kumanovë, kanë dashur që të njejtin ta informojnë për fatin e familjarët e tyre nëpër burgjet e Maqedonisë. Për rastin e Kumanovës akuzohen 29 persona për “terrorizëm dhe organizim terrorist” për ngjarjet e 9 dhe 10 majit në Lagjen e trimave në Kumanovë.
Ajnur Bafqari /SHENJA/