
Kuvendi vazhdon të mbetet peng i formimit të Qeverisë. Pas përfundimit të zgjedhjeve të 11 nëntorit dhe rivotimit në Komunën e Tearcës më 25 dhjetor, Kuvendi mbajti vetëm seancën konstituive në të cilën vetëm u verifikuan mandatet e deputetëve të zgjedhur, ndërsa seanca e ndërpre në momentin kur duhej të propozohen dhe të zgjidhen kryetari dhe nënkryetarët e Kuvendit.
Seanca konstituive u udhëhoq nga ish-kryetari Trajko Veljanovski, gjë e cila irritoi deputetët e opozitës maqedonase, të cilët deklaruan se seanca konstituive duhej të udhëhiqet nga deputeti më i moshuar.
Por edhe pse seanca konstituive filloi më 30 dhjetor, ajo ende ka mbetur në gjysmë, ndërsa deputetët vazhdojnë të mbesin të papunë duke pritur formimin e shumicës parlamentare, e cila duhet të vendoset nga koalicionet eventuale të partive pjesëmarrëse në zgjedhje.
Por sipas Rregullores për punën e Kuvendit, seancë nuk mund të caktojë askush tjetër përveç kryetarit të saj, pasi që alinea 1 e nenit 61 thotë:
“Seancë të Kuvendit mund të caktojë kryetari i Kuvendit”.
Ndërsa në alinenë 2 të nenit 61 thuhet:
“Kryetari i Kuvendit mund të caktojë seancë me kërkesën e Presidentit të Republikës, Qeverisë dhe së paku 20 deputetëve”.
Pra edhe në këtë rast Kuvendi duhet që fillimisht të ketë kryetar dhe më pas mund të funksionojë pavarësisht nëse partitë politike do të arrijnë ose jo marrëveshje për koalicionim me qëllim të formimit të shumicës parlamentare dhe Qeverisë.
Mefail Ismaili /SHENJA/
Kuvendi vazhdon të mbetet peng i politikës by tvshenjaofficial