Ish deputeti i Partisë për Prosperitet Demokratik, Muhamet Halili vlerëson se partitë shqiptare duhet të refuzojnë edhe nikolal Gruevskin edhe Zoran Zaevin simandatorë për formim të qeverisë së re në Maqedoni.
Shqiptarët të mos pranojnë as Gruevskin as Zaevin
Halili vlerëson se në këtë mënyrë partitë shqiptare duhet të presin që radha për të marrë mandatin për formim të qeverisë t’i vijë BDI-së, si parti e tretë për nga numri i deputetëve. Megjithatë Halili tërheq vëmendjen se mandati assesi nuk duhet t’i jepet Ali Ahmetit, për shkak të siç thotë, përfshirjes së tij në dosjen Magjar Telekom.
“Një dileme të këtyre ditëve : a është e mundur të bëhet qeveri me mandatar maqedonas e kryeministër shqiptar mund ti përgjigjem kështu: poqese “pajtimi gjithëshqiptar” nuk është falso dhe poqese Sela dhe Kasami ia kanë “dhënë qesen” e shtëpisë Ali Ahmetit atëherë ai duhet të veprojë ashtu që as Nikolla e as Zorani mos kenë sukses si mandatarë dhe rradha ti vijë BDI-së (jo Alisë si i përfshirë në dosjen Magjar Telekom). Në këtë rast po që se VMRO-DPMNE me të vërtet e respekton parimin fitues me fitues do ta përkrah qeverinë e BDI-Rilindja për shqiptarët-PDSH-VMRO-LSDM me kryeministër që do ta propozojë BDI e i cili ma merr mendja se duhet të jetë shqiptar i aftë, të cilët i kemi mjaft në numër, siç u shpreh Kasami.
Pra, kështu dilema a të shkohet në zgjedhje të reja pa nevojë zgjidhet menjëherë dhe “qeveria gjithëshqiptare” dhe “gjithëmaqedonase” kështu e vazhdon mandatin e PSP, sjell ligjet e kërkuara nga PSP, shpall vendin një njësi zgjedhore dhe i organizon zgjedhjet e reja dhe kështu vendi i ikën krizës për të cilën ishte tepër i brengosur lideri udhëheqës i Tryezës gjithëshqiptare”, analizon Halili edhe pse mediumet dhe ekspetët e afërt me VMRO-DPMNE-në janë kategorik në vlerësimet e tyre se nëse Gruevski nuk bën qeveri, atëherë vendi duhet të shkojë në zgjedhje të parakohshme e jo mandati ti jepet partive tjera.
Gruevski s’pranon kushtet e Ali Ahmetit: Jo shqip në Kushtetutë
Nikolla Gruevski nuk pranon dy prej kushteve të Ali Ahmetit për bashkëqeverisje. Përmes një deklarate, VMRO-DPMNE thotë se nuk pranon shtrirjen e gjuhës shqipe në gjithë Maqedoninë dhe as zgjatjen e mandatit të Prokurorisë Speciale.
“Koalicioni me 25 parti ‘Për një Maqedoni më të mirë’, udhëhequr nga VMRO-DPMNE konfirmon se shtrirja e dygjuhësisë në gjithë territorin e vendit dhe zgjatja e mandatit të Prokurorisë Speciale nuk negociohen”, thuhet në deklaratën e VMRO-DPMNE.
Në deklaratë thuhet se kjo parti është e gatshme që të heqë dorë nga pushteti dhe nuk pranon këto dy kushte, duke këmbëngulur se sanksionimi i gjuhës shqipe si gjuhë zyrtare në gjithë Maqedoninë në Kushtetutë nuk do të pranohet dhe as zgjatja e mandatit të Prokurorisë Speciale për përgjimet, që e konsideron të jashtëligjshme, transmeton tch.
“Kjo prokurori nuk ka të bëjë me drejtësinë. Është një instrument në duart e një grupi njerëzish që përdoret për të shantazhuar politikanët që luftojnë për interesat kombëtare të Maqedonisë”, thuhet në deklaratë.
Më herët, Kryesia Qendrore e BDI-së doli me një deklaratë me katër kushte të panegociueshme për formimin e qeverisë. Së pari, BDI radhit përdorimin e barabartë dhe zyrtar të gjuhës shqipe, integrimin në NATO, integrimin në BE dhe vazhdimin e mandatit të Prokurorisë Speciale.
Ordanovski: Ali Ahmeti po shkon në histori
Analisti Sasho Ordanovski gjatë debatit “Maqedonia në rrugë pa krye” të organizuar të premten nga CIVIL, vlerësoi se ndërkombëtarët kanë humbur besimin te Ali Ahmeti dhe se atë më nuk e shohin si liderin që do të zgjidhte problemet në vend. Ai e ka thënë se Ali Ahmeti po shkon në histori.
“Ne e përjetuam incidentin e Kumanovës dhe ai ka ndikuar thellë mbi perspektivat e bashkësisë ndërkombëtare në faktorët e brendshëm politik. Ai ishte kulmi kur VMRO humbi mbështetjen e ndërkombëtarëve. Edhe BDI dhe Ali Ahmeti para së gjithash u tregua si faktor i cili nuk mund të garantoj se kanë fuqi të balancojnë me një pozitë pak më të komplikuar. Ali Ahmeti në kuptimin politik është histori e Maqedonisë. Është pyetje tjetër se deri kur do të zgjas. Më vjen keq që nuk u tërhoq nga politika kur ishte në kulmin e tij. Por rrëzimi i tij tani mund të shkoj vetëm më poshtë.”, ka deklaruar analisti politik Sasho Ordanovski.
Ndërkohë, analisti Ramadan Ramadani, duke folur mbi formimin e Qeverisë së ardhshme, tha se këtë herë formimi i Qeverisë nuk varet vetëm prej numrave të mandateve, por ka edhe procese të tjera të rëndësishme, siç është procesi i lirimit të shtetit nga partitë dhe tjetra. Ndërkohë, ai theksoi elektorati shqiptar solli në skenën e opozitës subjekte të reja politike.
“E dini se te pjesa e elektoratit shqiptar tash më kemi një opozitë apo pozitë të re varësisht se si do të zhvillohen punët, por kemi një lëvizje të tërë të re e cila fitoi një grup parlamentar ajo është Lëvizja Besa dhe LR PDSH e cila ka 3 deputet, por në njëfarë mënyrë ajo ishte fitorja e votzuesve shqiptar për rrëzimin e PDSH-së nga një front ku aktronte opozitën e cila ishte besnike deri në vdekje e Qeverisë”, ka thënë analisti politik Ramadan Ramadani.
Panelistët në këtë debat nuk e kanë përjashtuar edhe mundësinë që në Maqedoni të ketë përsëri zgjedhje të parakohshme.