
Pas ngjarjes së krijuar për qarkullimin e një treni nga Serbia në Kosovë një grup i qytetarëve të Kosovës, kanë nisur një protestë përballë Qeverisë së Kosovës.
Protesta që po mbahet para Qeverisë së Kosovës, është thirrur nëpërmjet rrjeteve sociale, raporton REL.
Kërkesa e tyre drejtuar Qeverisë, presidentit dhe kryeparlamentarit është të largohen pasi që siç thonë ata “s’po janë në gjendje të ndalin trenin e Serbisë”.
Të shtunën nga stacioni qendror i hekurudhave në Beograd është nisur për në Kosovë një tren me ngjyrat e flamurit të Serbisë e me mbishkrime në disa gjuhë, “Kosova është Serbi”.
Kryeministri Isa Mustafa, ndodhet në zyrën e tij në Qeveri dhe gjatë tërë ditës ka qenë në koordinim të vazhdueshëm me të gjitha institucionet kompetente, për trajtimin e çështjes së trenit ilegal serb.