“Nikolla Gruevski moti ju kërcënohet shqiptarëve nga viti 2006 e deri më sot në 2017, por kërcënimet e tij janë virtual pasi që fuqia e tij politike është në rrënje e sipër. Ai nuk e ka fuqinë e numrave dhe tash i ka mbet vetëm ti jep gojës”, ka thënë Sinani për “Bota sot”.
Ditë më parë, deputeti në Kuvendin e Maqedonisë nga Lëvizja Besa, Afrim Gashi është kërcënuar me vdekje nga një simpatizant i BDI-së, e po ashtu edhe ish kryeministri i Maqedonisë Nikolla Gruevski gjatë një interviste ka “kërcënuar” BDI-në.
Sipas analistëve kjo tregon, se shqiptarët në Maqedoni po vazhdojnë të jenë të përçarë dhe nga ana tjetër, partitë politike maqedonase po duan t`i mbajnë të nënshtruara ato shqiptare.
Analisti nga Maqedonia, Arsim Sinani për gaztën “Bota sot”, ka thënë se nuk është hera e parë që ndodhin kërcënime ndaj atyre që nuk pajtohen me mendimin e tjetrit.
“Mendoj se ka të bëjë me panikën që e ka Bashkimi Demokratik për Integrim. Mënyra e këtij kërcënimi është I vjetër janë kërcënuar media, individë që nuk pajtohen deri te profile të rrejshme dhe portale që kontrollohen nga këto qarqe. Kjo çështje duhet të analizohet mirë pasi kërcimet e tilla lipset të ndalen, posaçërisht kur kemi të bëjmë me një eksponent të rëndësishëm të opozitës”, ka thënë Sinani.
Gjithashtu Sinani ka komentuar edhe kërcënimin nga ish kryeministri dhe lideri i VMRO-s, Nikolla Gruevskit, që sipas Sinanit kërcënimet e ish kryeministrit janë virtuale pasi që fuqia e tij politike është në rrënje e sipër.
“Nikolla Gruevski moti ju kërcënohet shqiptarëve nga viti 2006 e deri më sot në 2017, por kërcënimet e tij janë virtual pasi që fuqia e tij politike është në rrënje e sipër. Ai nuk e ka fuqinë e numrave dhe tash i ka mbet vetëm ti jep gojës. BDi-ja ka një rrugë të kthehet me idenë e shqiptarëve që Gruevskin dhe ekipin e tij ti dërgojë te Muzeu i Vmro –së në Shkup apo në pranverë të pësojë debaklin e radhës në zgjedhje lokale dhe të shkojë në histori. BDI ka gjasa të jetë e kërcënuar nga ish ministra e personalitet që dolën keq me “bombat e opozitës” këta mund të jenë të kërcënuar dhe kështu ta kërcënojnë edhe BDI-në kjo nuk përjashtohet”, ka thënë Sinani për “Bota sot”.
Ndërsa, për të përçarjen e shqiptarëve, Sinani ka deklaruar se establishmenti politik nuk ka ide dhe si pasojë e kësaj krijohet mjegull në opinion.
“Shqiptarët e kanë shumë të qartë se çfarë kërkojnë. Asnjë përçarje nuk ka për interesat e përgjithshme ka thjeshtë interesa personale që në opinion prezantohen si përçarje, pasi që nuk mund të realizojnë objektiva individuale. Shqiptarët në Maqedoni janë në kërkim të një lidershipi ndryshe nga ky që e patëm deri sot”, ka thënë Sinani.
Për më tepër, Sinani ka thënë se politikanët shqiptar ka gjasa të kenë hipoteka dhe interesa që nuk kanë asnjë lidhje me interesat e shqiptarëve në IRJ të Maqedonisë.
“Partitë politike maqedone duan të shkojnë në Europë me identitetin e tyre duke harruar se shqiptarët janë pjesë e rëndësishme e IRJ të Maqedonisë, pa ta IRJ e Maqedonisë është një kënetë e cila nuk ecën dot para. Edhe në zgjedhje shqiptarët e treguan këtë duke I ndihmuar ndryshimeve aq të pritshme. Nënshtrimi që flisni ju ka të bëjë më shumë me një mentalitet që është mësuar të dominojë shqiptarin gjë që më nuk do ndodh”, ka përfunduar Sinani.
Ndërsa, politologu shqiptar në Maqedoni, Xhenis Sulimani ka thënë për “Bota sot” se kërcënimet ndaj politikanëve me jetë për bindje politike ndryshe është akti më qyqarë i mundur në botën demokratike.
“Kjo tregon se sa është e partizuar shoqëria në Maqedoni. Gatishmëria e simpatizuesve për t’u kërcënuar është tregues i nivelit të ulët të kulturës politike. Shqiptarëve u duhet më shumë se asnjëherë më parë dialog ndërpartiak, me qëllim qetësimin e simpazantëve dhe edukimin e tyre në frymën e demokracisë dhe perceptimit të mendimit ndryshe si vlerë dhe asgjë më pak e më shumë”, ka thënë Sulimani.
Po ashtu, ai ka shtuar se vetëm kështu simpatizantët do të mund të frymonin nën frymën demokratike dhe garën politike do ta pranonin si diçka normale si diçka të patjetërsueshme, me nuanca rivaliteti por jo me armiqësi.
“Nikolla Gruevski është në pozicion që nuk mund ta kërcënon askënd. Ai nuk do të mund ta formojë qeverinë pa faktorin politik shqiptarë dhe çdo retorikë shtesë e tij anti shqiptare veçse e thellon atë në humbje. Platforma politike shqiptare dëshmon se ato njëzëri janë anti çfarëdo qeverisje me Nikolla Gruevskin”, ka thënë Sulimani .
Ndërsa, analisti Mersim Maksuti ka thënë se nuk ka kërcënime serioz të partive, duke shtuar se platforma e përbashkët të partive shqiptare erdhi si rezultat i dështimit të BDI-së e PDSH-së.
“Partitë politike shqiptare deri me tani BDI dhe PDSH si rezultat i dështimit në zgjedhje dhe rrezikun e humbjes se pushtetit si dhe presionin nga partitë e reja shqiptare Besa dhe Aleanca përqafuan platformën e përbashkët të partive shqiptare që parasheh kushte lidhur me të drejtat e shqiptareve për formimin e qeverise se ardhshme!”, ka thënë Maksuti.