
Platforma e përbashkët e shqiptarëve nuk prek në shtetësinë e Maqedonisë, nuk provokon etnitete tjera. Kështu ka deklaruar ish ministri Mersim Pollozhani në emisionin “Arena”, duke shtuar se platforma ishte një domosdoshmëri e kohës dhe vendit.
“Ajo është vetëm një trajektore se si duhet të lëvizë politika shqiptare, si duhet të veprojnë partitë politike shqiptare që kanë marrë pjesë dhe që do të marrin pjesë në Parlamentin e Maqedonisë. Ajo është një udhërrëfyes se çka është e përbashkëta e shqiptarëve, udhërrëfyes si duhet ta bashkërendisin veprimin e tyre politik pa marrë parasysh bindjet ideologjike”, ka deklaruar Mersim Pollozhani, ish ministër.
Nga ana tjetër, profesori universitar Mersim Maksuti, vlerëson se si rezultat i keqqeverisjes së VMRO-DPMNE-së dhe BDI-së, erdhi deri te formulimi i kësaj platforme të përbashkët, e cila sipas tij, duhet analizuar në shumë aspekte.
“Është një marrëveshje që duhet analizuar nga më shumë aspekte që ne të gjykojmë dhe analizojmë pse e kemi pikërisht. Më shumë analiza, më shumë qasje kërkon sepse e kemi si rezultat i më shumë faktorëve, sepse në të kundërtën do të themi se pikat të cilat i parasheh kjo marrëveshje, si ato katër që janë pak më të ndijshme, që ka të bëjë me çështjen e shtetformësisë, me çështjen e përdorimit zyrtar dhe të plotë të gjuhës shqipe, me ndarjen e buxhetit”, ka thënë Mersim Makusti, profesor universitar.
Ndërkaq, profesori universitar Nano Ruzhin tha se për të platforma është pak e paqartë sidomos sa i përket periudhës kur partitë shqiptare vendosën të nënshkruajnë një platformë të përbashkët me kërkesa të caktuara.
“E para, nëse është koha e duhur, apo nuk duheshtë ajo të jetë ose program zgjedhor ose një formë e përpunuar e një pozicioni ideologjik, e dyta, si material për përgatitje, pasi ashtu edhe është prezantuar zyrtarisht, për formimin e Qeverisë së re është pak i papërshtatshëm sepse disa çështje në këtë platformë nuk mund të zgjidhen me një ‘po’ ose ‘jo’, por duhet një kohë më e gjatë, dhe e treta po përballet me shumë pengesa, pengesa të natyrës kushtetuese”, ka thënë Nano Ruzhin, profesor universitar.
Platforma e përbashkët e partive shqiptare u publikua të shtunën më 7 janar, ndërsa është nënshkruar nga BDI-ja, “Koalicioni Rilindje me BESË” dhe “Aleanca për Shqiptarët”.
Enis Murtezi /SHENJA/
Ekspertët: Platforma shqiptare nuk rrezikon… by tvshenjaofficial