
Vendi duhet të ketë Qeveri e cila do t’i zgjidh problemet reale të qytetarëve, ndërsa gjithë partitë që kanë fituar mandate nuk duhet të lejojnë të formohet Qeveri me persona kriminel dhe të dyshuar për vepra të rënda penale. Kështu qëndron në komunikatën e LSDM-së, pas mbledhjes që ka pasur mbrëmë Këshilli Ekzekutiv i kësaj partie.
“Qytetarët dëshirojnë jetë kualitative, në një shoqëri të qytetarëve të barabartë, drejtësi dhe gjyqësor të pavarur, institucione shtetërore që do të punojnë në shërbim të qytetarëve. Gjithë partitë që kanë fituar mandate në Kuvend, përpos udhëheqësisë kriminele të VMRO-DPMNE-së, nuk duhet të lejojnë formim të Qeverisë në të cilën do të marrin pjesë persona të cilët akuzohen për vepra të rënda penale, të cilët kanë shkatërruar perspektivat dhe jetët e qytetarëve të Maqedonisë”, thuhet në komunikatën e LSDM-së.
Në lidhje me këtë komunikatë kanë reaguar nga VMRO-DPMNE, të cilët kanë thënë se qytetarët e Maqedonisë në zgjedhjet e 11-dhjetorit i thanë një ‘JO’ të madhe politikave për shkatërrimin e shtetit dhe ekonomisë, politikanëve të korruptuar dhe profiterëve nga grupacioni i LSDM-së.
“Grupacion kriminel i LSDM-së, në krye me kriminelin e aboluar Zoran Zaev, nuk ndalet me nënçmimin dhe nënvlerësimin e qytetarëve maqedonas, duke bërë përpjekje të përditshme për vazhdimin e jetëgjatësisë së tyre politike duke tentuar të futë shtetin në një krizë të re. Në vend të komunikatave patetike me të cilat Zaev ende mendon se i gënjen anëtarët e partisë së tij se nuk ka humbur në zgjedhje, ata presin përgjigje se kur do të mbajë premtimin për dorëheqje”, janë përgjigjur nga VMRO-DPMNE.
Në zgjedhjet 11-dhjetorit VMRO-DPMNE ka fituar 51 mandate ndërsa LSDM-ja- 49. Më 9 janar kryetari i shtetit Gjorge Ivanov i dorëzoi mandatin për formimin e Qeverisë, kryetarit të VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevski.
Enis Murtezi /SHENJA/
LSDM: Qeverinë nuk do ta bëjnë kriminelët… by tvshenjaofficial