Të mos e dallosh nëse ndodhesh në pistë për rrëshqitje apo në një institucion shëndetësor shtetëror. I tërë oborri i mbuluar me borë dhe akull, kështu dukej brenda gjithë javës po edhe sot, Spitali Special për Obsterikë Gjinekologji “Nënë Tereza” në komunën e Çairit.
Që nga hyrja e oborrit e deri te hyrja e pranimit të pacientëve ishte e pamundur qarkullimi i njerëzve normal e lëre të grave shtatzënë.
Më tragjike dhe trishtuese ishte pamja nga ana e spitalit, apo në repartin për lëshimin e lehonave dhe foshnjeve.
Disa nga pacientët për Almakos janë shprehur të trishtuar nga gjendja e tmerrshme e oborrit të papastruar nga bora.
“Nuk mund ta imagjinoj të hec njeriu normal në këtë udhë. Shifni çfarë bore madhe, dhe temperatura të ftofta. Nuk e di a e kanë paraparë këto nga spitali këtë gjendje dhe të marrin masa preventive, ndryshe është shumë e rrezikshme gratë shtatzënë të ecin në këto rrugë”, shprehet e revoltuar një zonjë.
Nga ana tjetër bashkëshorti i njërës nga gratë e posalindura assesi nuk mundej të pajtohet me faktin që një institucion i ndjeshëm si gjinekologjia të lejojë kësisoj lëshimesh.
“Ja unë po bëj përpjekje që ta ofrojë veturën më afër derës ku lëshohen lehonat dhe foshnjet që ti marrë ato, po është e pamundur sepse pengojnë shkallët. S’mund as ta kuptoj as të pajtohem me çfarëdo arsyetimi për këtë lëshim të gjinekologjisë”, thotë për Almakos një prind. / Almakos.