Menjëherë pasi që presidenti i shtetit, Gjorgje Ivanov ia dorëzoi mandatin për përbërje të qeverisë së re, kreut të partisë fituese të zgjedhjeve, Nikolla Gruevskit, janë hapur dilema të mëdha nëse mandati tij është ligjor. Përveç tjerash ngelet e hapur tema se si do veprojnë partitë politike shqiptare në këtë periudhë prej 20 ditësh kur Gruevski do ti bëj thirrje atyre që të formojnë qeverinë.
Sipas profesorit universitar, Svetomir Shkariq, me atë që presidenti Gjorgje Ivanov ia ka dhënë mandatin Gruevskit e ka shkelur Kushtetutën.
“Ivanov nuk ia jep mandatin partisë që ka më shumë mandate, por partisë ose koalicionit që e ka shumicën në Parlament. Nga pikëpamja e Kushtetutës, vendimi i Ivanovit që mandatin t`ia jap Gruevskit është anti kushtetues. Sipas Kushtetutës, presidenti para se ta jap mandatin duhet që ta ketë informacionin se kush mund të siguroje shumicën, të konsultohet me partitë parlamentare. Ai është një proces që i paraprinë dhënies së mandatit. Ose ai që do të vije deri aty duhet që të afroje argumente të forta se mund të formoje qeveri. Nëse nuk e ka shumicën atëherë nuk duhet që ta merr mandatin, pasi që është shumë e ditur se mandati i dhënë nuk do të jetë i suksesshëm. Presidenti duhet që të ketë një rrol aktiv moderues, dhe jo të veproje në mënyrë mekanike. Presidenti duhet që ta vlerësoje edhe përshtatshmërinë e kandidatit, ashtu si ishte rasti me Rumaninë, ku atë nuk e fitoi presidenti i partisë, por një person tjetër”, theksoi Shkariq.
Derisa kryetari i Shoqatës së veteranëve të luftës, Shpëtim Pollozhani ka porositur partitë politike shqiptare që mos të guxojnë as negociata të bëjnë me VMRO-në, e lërë të koalicionojnë. Nuk harrohet ajo “KURË”, e VMRO-së për gjuhën shqipe.
“Gruevski i prishi të gjitha urat për komunikim me shqiptarët. Ajo KURË e atij, e përsëritur mijëra herë gjatë fushatës(kurrë nuk do të jetë gjuha shqipe e barabarte me gjuhën e të zgjedhurve) do të bëjë shkrumb e hi çdo parti shqiptare që do të futet në negociata me të. Partitë shqiptare jo që nuk duhet të bëjnë koalicion me Gruevskin, ata nuk duhet as të futen në negociata me të. Ai në këtë gjendje kur punohet për lëkurën e tij edhe mundet të dalë jashtë vetes, të pranoje disa kërkesa të Platformës, por ama shqiptarët duhet ta dijnë se me ç’farë skile kanë punë. Me Gruevskin as negociata pa le më koalicion”, deklaroi për Almakos, kryetari i Shoqatës së veteranëve të luftës, Shpëtim Pollozhani.
Ndërkohë që profesori universitar Osman Kadriu vlerëson se më së miri është që të formohet një qeveri ekspertësh, pasi që pushteti nuk i ka mandatet e mjaftueshme për të formuar qeveri.
“Vlerësoj se zgjidhja më e mirë nëse nuk kemi qeveri është që të zgjidhet një qeveri ekspertësh e cila do të zgjidhet nga parlamenti prej profesionistëve. Por edhe kjo gjë të ndodh do të duhet ndonjë marrëveshje politike. Është me rëndësi që të thuhet se edhe po të zgjidhet qeveri ajo do të duhet zgjidhur me shumicë relative, dhe për shkak të asaj që numri i mandateve të pushtetit dhe opozitës thuajse është i njëjtë do të kemi një parlament me kompetenca të kufizuara, pasi që për të gjitha ato gjëra që duhen dy të tretat e shumicës, kjo gjë nuk mund të sigurohet, që përsëri çon në zgjedhje të reja”, theksoi Osman Kadriu./ Almakos.