Mot me vranësira të ndryshueshme, temperatura nën zero dhe kushte për reshje të borës pritet të mbizotërojë ditën e nesërme në Maqedoni. Nga drejtoria për punë hidrometeorologjike thonë se mëngjesi i ditës së nesërme do të jetë shumë i ftohtë me temperatura thellë nën zero të cilat do të sillen nga minus 18 deri në minus 6 gradë celsius. Edhe temperaturat e ditës do të jenë akoma gjithandej nën zero dhe të njëjtat do të lëvizin nga minus 10 deri në minus 3 gradë celsius.
“Gjatë ditës së nesërme, moti do të jetë i ndryshueshëm, me vranësira dhe shumë i ftohtë, me reshje të kohëpaskohshme lokale të borës, të cilat do të jenë me intensitet të dobët, ndërkaq në pjesët lindore nesër do të jetë mot me vranësira me reshje të borës me intensitet mesatar. Do të fryejë edhe erë mesatare nga drejtimi verior.”, ka deklaruar Lena Jovanovska, meteorolog.
Meteorologët parashikojnë rritje të temperaturave që nga dita e premte të cilat pritet të kalojnë mbi zero dhe të njëjtat të jenë të shoqëruara me reshje të reja të shiut dhe borës.
“Në ditët në vazhdim pra deri të enjten akoma do të jetë ftohtë me temperatura të mëngjesit thellë nën zero, ndërkaq temperaturat e ditës do të rriten lehtë gradualisht, e ndërkaq nga dita e premte do të ketë rritje më të theksuar të temperaturave, të cilat gjithandej do të jenë mbi zero, pra do të kemi temperatura pozitive. Reshje të reja të shiut dhe borës presim nga pasditja e ditës së premte dhe të shtunën në orët e paradites”, tha më tej ajo.