BDI, Rilindje me Besë, dhe Aleanca për Shqiptarët u bashkuan rreth një platforme të përbashkët në të cilën zotohen për realizimin e të drejtave të shqiptarëve në mandatin e ardshëm qeveritar. Siç thuhet në deklaratë, partitë parlamentare shqiptare do të angazhohen për ngritjen e statusit të shqiptarëve në Maqedoni në popull shtet-formues, me gjuhë zyrtare, e cila do të kishte statusin e barabartë me gjuhën maqedonase dhe njëkohësisht do të zgjidheshin edhe shumë çështje tjera etnike.
“Zbatimi i përpiktë i parimit të multi-etnicitetit në Kushtetutën e Maqedonisë, ku shqiptarët njihen si popullsi shtet-formuese. Mbështetje e çdo iniciative ligjore dhe kushtetuese që përforcon barazinë etnike për popullsinë shqiptare. Arritja e barazisë së plotë gjuhësore, përdorimi i gjuhës shqipe në të gjitha nivelet e qeverisjes dhe garantimi i përdorimit të saj si e drejtë themelore dhe kushtetuese. Kushtetuta e Republikës së Maqedonisë duhet të përcaktojë se gjuha maqedonase me alfabetin cirilik dhe gjuha shqipe me alfabetin e saj, janë gjuhë zyrtare në Republikën e Maqedonisë”, thuhet mes tjerash në deklaratën e përbashkët të partive shqiptare.
Partitë u zotuan edhe për “debat gjithëpërfshirës mbi flamurin, himnin dhe stemën shtetërore të Republikës së Maqedonisë në mënyrë që simbolet shtetërore të reflektojnë multi-etnicitetin shoqëror dhe barazinë etnike”
U tregua mbështetje e plotë për punën e Prokurorisë Speciale në interes të zbardhjes së plotë të rasteve “Sopoti”, “Brodeci”, “Monstra” dhe “Kumanova” , me ndihmë edhe të një komisioni hetimor ose një trupi të pavarur ndërkombëtar.
Në këtë dokument janë shënuar edhe kërkesat për arritjen e barazisë ekonomike dhe mirëqenies shoqërore, dhe kërkohet që të themelohet një ministri për sistem politik dhe marrëdhënie me komunitetet, në mënyrë që të realizohet përfaqësimit i drejtë në institucionet shtetërore.
“Krijimi i një mekanizmi të ri, në formën e një Komisioni Shtetëror për Financimin e Komunave, për një vendimmarrje më të drejtë për grantet qeveritare në përfitim të komunave. Krijimi i një Ministrie për Sistem Politik dhe Marrëdhënie midis Komuniteteve, si organ përgjegjës për respektimin e të drejtave të komuniteteve dhe nxitjen e zhvillimit ekonomik dhe shoqëror në zonat e defavorizuara”, thuhet gjithashtu në deklaratë.
Gjashtë partitë e përfshira në dy koalicione dhe një parti të cilat e kanë nënshkruar dokumentin, angazhohen edhe për antarësimin e Maqedonisë në NATO dhe BE nëpërmjet zgjidhjes urgjente të çështjes së emrit, marrëdhënieve të mira me fqinjët, bashkëpunim me Kosovën dhe Shqipërinë për menaxhimin e integruar të kufijve, hapjen e pikave të reja kufitare, e të tjerë.
Kontrollin e përmbushjes së kësaj platforme do ta bëjë Tryeza e Partive Shqiptare Parlamentare, e cila do të krijohet për këtë shkak. Do to funksionojë sipas parimit të rrotacionit, që secili subjekt të ketë drejtimin nga një herë dhe do të caktohen edhe afatet për realizimin e parimeve të dokumentit.