VMRO-DPMNE dhe LSDM nuk kanë ende përgjigje të prerë për pikat e marrëveshjes së katër partive shqiptare, BDI, BESA, Aleanca dhe PDSH. Televizioni Shenja ka kontaktuar dy partitë për të marë qëndrimet e tyre, ndërsa janë përgjigjur vetëm nga partia e Nikolla Gruevski. Megjithatë as nga VMRO-DPMNE nuk ka një qëndrim të qartë rreth kushteve të partive shqiptare. Në përgjigjen e zëdhënësit Ivo Kotevski ndaj pyetjes tonë thuhet se fillimisht kjo parti do t’i shqyrtojë pikat dhe më pas do të prononcohet për të njëjtat.
“Do ti shqyrtojmë dhe më pas do të prononcohemi”, është përgjigjur shkurt Kotevski në pyetjen e televizionit Shenja nëse i kanë parë pikat e platformës dhe nëse të njëjtat janë të pranueshme për partinë e tyre.
Pyetja e njëjtë i është dërguar edhe zëdhënësit të LSDM-së, Petre Shilegov, por deri në këto çastë nga partia e Zoran Zaevit nuk ka asnjë përgjigje.
Situata pritet të qartësohet nga java e ardhëshme kur dhe presidenti Gjorgji Ivanov pritet t’i jep mandatin për formimin e Qeverisë mandatarit të ri. Sipas Kushtetutës mandati duhet ti ndahet më së voni 10 ditë pas konstituimit të Kuvendit, liderit të partisë ose koalicionit që do të sigurojë 61 deputetë. Por jozyrtarisht pritet që më së voni të hënën Ivanov mandatin t’ia jep liderit të VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevski, si parti fituese e zgjedhjeve. Gruevski do të ketë 20 ditë afat që në Kuvend të propozojë kabinetin e ri qeveritarë dhe programën për punën e Qeverisë. Nëse ai dështon, atëherë e kthen mandatin dhe të njëjtin presidenti ia jep liderit të partisë së dytë, në këtë rast Zoran Zaevit të LSDM-së. Edhe ky i fundit do të ketë 20 ditë afat shtesë për të formuar Qeverinë. Ndryshe, në zgjedhjet e 11 dhjetorit VMRO-DPMNE fitoi 51 deputet, LSDM 49, BDI 10, Besa 5, Aleanca për shqiptarët 3 deputet dhe PDSH 2. 20 deputetët e partive shqiptare do të jenë vendimtare për koalicionin e ardhëshëm qeveritar.