Burime partiake kanë thënë se kryetari i BDI-së Ali Ahmeti dhe bashkëpunëtori i tij i afërt, Musa Xhaferi, kanë porositur publikimin e informacioneve kundër Lëvizjes BESA në disa mediume kosovare.
Sipas këtyre burimeve, duke shpifur për Lëvizjen Besa, tentohet që të defokusohet interesi i opinionit shqiptar se si krijoi VMRO-DPMNE pasuri prej 60 milionë eurove edhe atë pjesën më të madhe gjatë koalicionimit me BDI-në.
“A keni lexuar në ndonjë portal të afërt me BDI-në që të parashtrohet pyetje se si krijoi VMRO-DPMNE pasuri prej 60 milionë eurove edhe atë në periudhën deri sa është në koalicion me BDI-në, sepse më herët ka qenë buzë bankrotit. Mendoj se edhe skenari për përhapjen e shpifjeve ndaj Besës është përgatitur nga qendra informative e VMRO-DPMNE-së. fillimisht këto shpifje të plasohen në Kosovë, e pastaj të transmetohen në mediumet në Maqedoni. Është skenar i tejdukshëm”, kanë thënë këto burime, transmeton Gazeta Lajm.
Ndryshe në një hulumtim të publikuar para ca kohe nga rrjeti për gazetari hulumtuese, SCOOP, thuhet se VMRO-DPMNE posedon pasuri në vlerë prej rreth 60 milionë eurove dhe është partia e dytë më e pasur në Evropë. Sipas këtij hulumtimi, VMRO-DPMNE pasurinë e ka krijuar pas kthimit në pushtet në vitin 2006, sepse paraprakisht ka qenë parti e falimentuar pas përçarjeve mes Lubço Georgievskit dhe Nikollla Gruevskit.
Edhe pse BDI dhe Ahmeti gati nëntë vite janë në koalicion me VMRO-DPMNE-në, preferojnë të shiten para shqiptarëve si subjekt që nuk dëshiron bashkëpunim me partinë e Gruevskit, por se janë të detyruara nga ndërkombëtarët. Mirëpo milionat që ka krijuar gjatë kësaj periudhe VMRO-ja, si dhe projektet që janë realizuar për maqedonasit, nuk i japin bazë këtij pretendimi të BDI-së. Insistimi i shtuar nga mediumet e pavarura shqiptare për të sqaruar dilemën se si VMRO-DPMNE u pasurua kaq shumë në periudhën sa është në koalicion me BDI-në, si duket ka detyruar krerët e këtij subjekti që të fillojë të shpifë dhe të manipulojë, për të defokusuar opinionin në drejtim të subjekteve që asnjëherë deri tani nuk kanë qenë pjesë e qeverisë, prandaj edhe nuk kanë mundur të dëmtojnë interesin e shqiptarëve duke keqpërdorë mjete buxhetore.