Thuajse më pak se 6 muaj para zgjedhjeve parlamentare, deputeti i LIBRA-s, Ben Blushi përsërit propozimin për uljen e numrit të deputetëve në Kuvendin e Shqipërisë.
Duke qenë në një linjë me kreun e LSI-së, Ilir Meta, i cili shpesh ka theksuar se duhet ulur numri i deputetëve për të rritur cilësinë, Blushi shprehet se Parlamenti duhet të bëhet me 100 deputetë dhe jo me 140 sa ç’ka aktualisht.
“Sa më shumë afrohet data e zgjedhjeve aq më pak shpresë kam se parlamenti i ardhshëm do jetë më i pranueshëm se ky që kemi. Të paditurit, të paaftët, agallarët e provincave të zbrazura, banditët me frak, analfabetët që mbajnë piano në kuzhinë, kanabistët me kollare me fruta pylli, piratët e energjisë, ilaçeve dhe mbetjeve, tenderaxhinjtë e përmbytjeve dhe gjobaxhinjtë e bashkive do mësyjnë prapë në parlament duke u futur nga dyert dhe dritaret e partive te vjetra”, – shkruan ish-deputeti socialist në një postim në “Facebook”. –
Sipas Blushit, një mënyrë për ta përmirësuar situatën është kufizimi i mandateve të deputetëve në 100 njësi.
“Dikush me shaka më ka thënë se të gjithë deputetët bashkë kanë më shumë makina se libra. Dikur në fshatrat malorë ngrinin prita për te penguar ujqit. Ndoshta mund të përdoret si teknikë duke zvogëluar derën e parlamentit. Një parlament më i vogël do ishte një hapësirë më e kufizuar për kaq shumë vulg. Unë jam për një parlament me 100 deputetë”, – është propozimi i Blushit.
4 janar 2016 (gazeta-Shqip.com)