
Deputetët duhet të dorëzojnë lista anketuese në Komisionin Shtetëror për Parandalim të Korrupsionit. Mandati i deputetit më vete mbart të drejta dhe obligime. Një nga obligimet e 120 deputetëve të rinj, por edhe deputetëve të cilëve u përfundoi mandati deri më 30 janar, është të parashtrojnë listë anketuese dhe deklaratë për gjendjen pronësore te Komisioni për Antikorrupsion. Kryetari i këtij Komisioni, Goran Milenkov, njoftoi se sipas Ligjit për Kuvendin deputeti është i detyruar brenda një afati prej 30 ditësh nga verifikimi i mandatit të plotësojë listë anketuese me regjistrim të hollësishëm të pronës së patundshme, sendeve të lëvizshme me vlerë më të madhe, letra me vlerë dhe kërkesa edhe borxhe, si dhe pronë tjetër që është në pronën e tij, ose pronë të anëtarëve të familjes së tij, me theksimin e bazës së fitimit të pronës së paraqitur dhe deponon deklaratë të notifikuar nga noteri për heqje dorë nga mbrojta e sekretit bankar lidhur me të gjitha llogaritë në bankat vendore dhe të huaja. Deputeti gjithashtu, është i obliguar të plotësojë listë anketuese në afat prej 30 ditëve pas ndërprerjes së mandatit. Nëse deputeti në afat prej 30 ditësh pas ndërprerjes së mandatit zgjidhet ose emërohet në funksionin e njëjtë ose tjetër është i obliguar ta njoftojë Komisionin Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit për zgjedhjen e re ose emërimin.
“Në pajtim me ligjin për ndalim të korrupsionit, të gjithë personat e zgjedhur dhe të emëruar, në afat prej 30 ditësh, në rastin konkret për deputetet të cilëve ju ka mbaruar mandati dhe ju ka filluar mandati i ri, nga dita e emërimit të tyre kanë obligim të dorëzojnë listat anketuese në Komisionin Shtetëror për Parandalim të Korrupsionit që ta paraqesin pronën e patundshme që e kanë në dispozicion. Në këtë moment nuk kam informacion nëse diçka ka arritur sepse kanë qenë festat, por deri tani mund të them se në masë të madhe, ndoshta edhe 100 %, deputetët e respektojnë këtëdispozitë ligjore”, tha kryetari i komisionit për antikorrupsion, Goran Milenkov.
Milenkov më tej njoftoi se edhe atyre që ju ka mbaruar mandati duhet të dorëzojnë lista anketuese për ndalim të funksionit të tyre, sepse nëse nuk e respektojnë këtë ligj dhe nuk i dorëzojnë të njëjtat në këtë institucion është i paraparë edhe sanksion
Të dhënat nga listat anketuese të deputetëve, sipas Ligjit, paraqesin informacione nga karakteri publik përveç të dhënave të mbrojtura me ligj dhe publikohen në pajtim me ligjin.
Emine Ismaili /SHENJA/