
65 deputetë të përbërjes së kaluar kanë të drejtë të parashtrojnë kërkesë për kompensim të pagës, nëse nuk kthehen në vendin e mëparshëm të punës. Sipas ligjit kompensimi i pagës mund të zgjasë deri në 12 muaj. Ligji për paga dhe kompensime të tjera të deputetëve në Kuvend dhe personat tjerë të përzgjedhur dhe të emëruar parasheh që një deputet të mund të realizojë pagë edhe pas ndërprerjes së mandatit në kohëzgjatje deri në një vit edhe atë: tre muaj nëse mandati i deputetit ka zgjatur deri në gjashtë muaj, gjashtë muajt nëse mandati i deputetit ka zgjatur prej gjashtë muaj e një ditë deri në 12 muaj, nëntë muaj nëse mandati i deputetit ka zgjatur prej 12 muaj e një ditë deri në 24 muaj dhe 12 muaj nëse mandati i deputetit ka zgjatur 24 muaj e një ditë dhe më shumë. Gjatë realizimit të kësaj të drejte deputeti nuk ka të drejtë në të ardhura tjera personale dhe kompensime të shpenzimeve. Ish deputetët duhet të parashtrojnë kërkesë personale, e cila parashtrohet më së voni në afat prej 30 ditësh nga dita e ndërprerjes së funksionit. Trupi kompetent i Kuvendit me vendim e konfirmon të drejtën dhe ndërprerjen e tij në pajtim me dispozitat e këtij ligji. E drejta e apanazhit mund të ndërpritet përderisa ish deputeti merr të drejtë të pensionimit, kur ai do të kërkojë, kur do të punësohet dhe do të zgjidhet ose emërohet në një funksion tjetër në bazë të së cilit realizon pagë. Kjo e drejtë mund të ndërpritet përderisa personat janë dënuar për vepra penale kundër shtetit ose për vepra penale të bëra nga egoizmi. Apanazhi është në vlerë të pagës së deputetëve dhe e paguajnë Kuvendi i Republikës së Maqedoni, gjegjësisht organizata në të cilën personi e ka kryer funksionin. Ishdeputetët do të kenë të drejtë dhe kompensim edhe gjatë pushimit vjetor. Pesëdhjetë e një deputet nga përbërja e shtatë parlamentare kanë parashtruar kërkesa për apanazh, ndërsa nga llogari kuvendore në gjysmën e dytë të vitit 2014 dhe në fillim të vitit 2015 për këtë qëllim janë ndarë nga 50.000 euro në muaj.
Enis Murtezi /SHENJA/
65 ish deputetët mund të marrin rroga edhe një vit by tvshenjaofficial