Aleanca për Shqiptarët nuk komunikon me asnjë parti maqedonase për mundësinë e koalicionimeve për formimin e Qeverisë së re. Kryetari i LR-PDSH-së, Ziadin Sela si pjesë e këtij koalicioni theksoi se nuk ka komunikim me asnjë parti maqedonase, pasi që janë të angazhuar në unifikimin e spektrit politik shqiptar. Ai me këtë rast ka publikuar në profilin e tij në facebook një porosi që nënkupton qëndrimin e Aleancës.
“ Ne nuk do të komunikojmë vecmas me asnjë parti politike maqedonase, sepse ne jemi të interesuar fillimisht për ta unifikuar spektrin politik shqiptarë, për të ti dhënë forcë më të madhe pozitës sonë si popull karshi palës tjetër kush do qoftë ajo. Ne vlerësojmë se tanimë duhet ta hapim nje dialog politik për rregullim shtetëror dhe jo qeverisës”, ka shkruar Sela.
Megjithatë mbetet dilemë e madhe nëse do të ketë ndonjë efekt nga bllokimi i komunikimit të Aleancës me partitë maqedonase, nëse vazhdon komunikimin me partnerin e tyre, BDI-në, e cila ka qenë në koalicion edhe me VMRO-DPMNE-në edhe me LSDM-në.