Librat e përkthyera në gjuhën shqipe vazhdojnë t’i ofrojnë nxënësve dhe studentëve përmbajtje me gjuhë të bastarduar, përkthime joprofesionale dhe të palogjikshme. Këtë herë gjuha shqipe është viktime e projektit për mbi 2000 tituj të përkthyer. Bëhet fjalë për projekt që realizon Qeveria, Ministria e Arsimit dhe pjesërisht edhe Ministria e Kulturës, dhe në kuadër të së cilit parashihet që mbi 1000 tituj të përkthehen edhe në gjuhën shqipe. Kryetari i shtëpisë botuese Shkupi, Azam Dauti thotë se prej këtyre titujve vetëm dhjetëra janë në gjuhën shqipe ndërsa edhe ata janë përkthime pa cilësi përkthimore, joprofesionale dhe thuajse të papërdorshme për akademinë dhe universitetet. Por, skandali nuk përfundon këtu, tenderi për botimin e librave në gjuhën shqipe i është ndarë shtëpisë botuese maqedonase Ars Lamina, e cila më herët ka funksionuar si kompani për shitjen e pllakave, duke anashkaluar në këtë mënyrë të gjitha shtëpitë botuese shqiptare që veprojnë në Maqedoni.
“Ironia më e madhe ne hasëm te këto tituj, mbi 1000 e 500-600 tituj i ka botuar ARS Lamina, shtypshkronjat me të cilat ne bashkëpunojnë thonë se kjo firmë përpara ka qenë shitës i pllakave ofset dhe përnjëherë është shndërruar në botuesin më të madhë në Maqedoni . Këtu e kemi defektin kryesor. Jo vetëm që anashkalohen botuesit shqiptar, por anashkalohet i tërë profesionalizmi në Maqedoni”, ka deklaruar Azam Dauti, SHB Shkupi.
Dauti për këtë akuzon Ministrisë e Kulturës duke thënë që njerëzit që udhëheqin këtë institucion, nuk janë të interesuar që të avancojnë kulturën shqiptare.
“Por, po të bën gabime Ministria e Arsimit që i dedikohet gjeneratave që duhet të arsimohen, të edukohen, po të bën gabime për literaturën shkencore të studentëve dhe nxënësve të shkollave të mesme, atëherë gabimet janë më fatale 0 me 100 mund të krahasohen. Politikat e gabuara në Ministrinë e Kulturës janë se njerëzit të cilët nuk e ndjejnë kulturën shqiptare fare udhëheqin me kulturën shqiptare në këtë ministri dhe ata asnjëherë nuk e kanë pasur prioritet të tyre të avancojnë kulturën shqiptare, por përkundrazi se si ta dëmtojnë bashkërisht me miqtë e tyre kulturën shqiptare”, deklaroi Dauti.
Duke iu referuar deklaratës së Dautit, projekti në fjalë është i karakterit megaloman, por të bën të futesh në dilemë nëse është projekt botuesish apo është projekt profiterësh.
“Në fakt del që është projekt profiterësh sepse edhe ata tituj që janë botuar nuk e di a janë nëpër universitetet tona që është më indikative. Shumë pak libra janë të përkthyer në gjuhën shqipe dhe ata që janë përkthyer janë me ato defekte që i përmendëm profesorët që i kanë shfletuar”, tha më tej Dauti.
Ajo që Dauti e quan të pakuptimtë mbi këtë projekt, është edhe fakti edhe Ministria e Arsimit paraqitet si botues më i madh i teksteve shkollore, duke e theksuar si rast i veçantë në botë. Ndërkohë, librat e tjera janë botuar nga shtëpi botuese të cilët janë krijuar aty për aty.
Teuta Buçi /SHENJA/