Kryetari i Kuvendit në largim Trajko Veljanoski ka caktuar të premten seancën konstitutive të përbërjes së re të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë. Përbërja e nëntë parlamentare do të ketë 120 deputetë, prej të cilëve numër më të madhe të mandateve ka koalicioni i kryesuar nga VMRO-DPMNE 51, subjekti i dytë politik sipas mandateve të fituara është koalicioni i kryesuar nga LSDM men 49, BDI 10, Besa 5, Aleanca për Shqiptarët 3 dhe PDSH 2.
Në këtë përbërje parlamentare do të ketë 62 deputetë të rinj dhe 58 nga përbërja e kaluar, ndërsa disa prej tyre kanë qenë të përzgjedhur nga populli edhe në përbërje të tjera. Nga 120 deputetët e përzgjedhur, 38 janë femra. Përbërja e Parlamentit edhe kjo shifër e përfaqësimit të grave do të mund të ndryshohet pas formimit të qeverisë nëse disa nga deputetët përzgjidhen në funksion në pushtetin ekzekutiv ose nuk e pranojnë mandatin për shkaqe të caktuara. Ndërkaq, nuk do të ketë deputetë nga diaspora për shkak të numrit jo të mjaftueshëm të votave.
Kryesuesi me seancën e parë emëron dy nga deputetët e zgjedhur të cilët sipas nevojës e zëvendësojnë në udhëheqjen me seancën, pastaj me thirrje të deputetëve e konfirmon numrin e deputetëve të zgjedhur prezent.
Kuvendi mund të konstituohet nëse në seancë marrin pjesë shumica e deputetëve të zgjedhur, ndërsa pasi që të konfirmohet kuorumi, zgjidhet kryetari dhe anëtarët e Komisionit për verifikim të Kuvendit, të cilët do t’i verifikojnë mandatet. Kuvendi nga radhët e deputetëve zgjedh kryetar dhe nënkryetar të Kuvendit.
Në bazë të kushtetutës së Maqedonisë, presidenti i Republikës është i detyruar që në një afat prej dhjetë ditësh mandatin për përbërje të Qeverisë t’ia besojë kandidatit të partisë, respektivisht partive që kanë shumicë në Kuvend. Mandati në një afat prej 20 ditësh nga dita e besimit të mandatit Kuvendit i parashtron program dhe e propozon përbërjen e Qeverisë.
Qeverinë në propozim të mandatarit dhe mbi bazë të programit, e zgjedh Kuvendi me shumicë të votave nga gjithsej numri i deputetëve.
Teuta Buçi /SHENJA/
Nesër seanca konstitutive e kuvendit, 62… by tvshenjaofficial