“Nëse Maqedonia do të vazhdojë të qeveriset nga ata që e udhëhoqën deri më tani, atëherë ajo do të shkojë drejt ndarjes”, ka thënë drejtori i Fondacionit Rockefeller Brothers për Ballkanin Perëndimor, njëkohësisht njohës i çështjeve ndërkombëtare në mjediset e konfliktit dhe pas konfliktit, Haki Abazi.
“Mendoj se ka një platformë të përbashkët të faktorëve që duan ta shkatërrojnë Maqedoninë, kryesisht është tendenca e VMRO – DPMNE si një lëvizje bullgare, në kuptimin nacionaliste, pa një ndonjë definim të plotë të formës se si e sheh Maqedoninë si shtet funkcional. Ajo solli ikjen e mbi 625 mijë qytetarëve të Maqedonisë”, ka thënë Abazi për “Saktë”.
Sipas tij, VMRO – DPMNE ka qenë sabotuese me politika të saj ndaj vetë shtetit duke provokuar situata nga më të ndryshme me qëllim që të shkaktojë konflikt të ri ndëretnik.
“Një konflikt i ri do të bënte që Maqedonia të shkojë drejt shpërbërjes dhe ndarjes”, ka thënë Abazi, i cili ka shtuar se ky është edhe qëllimi i VMRO – DPMNE-së.
Abazi ka thënë se shqiptarët e Maqedonisë janë fituesit më të mëdhenj të këtyre zgjedhjeve dhe treguan pjekuri duke ndëshkuar përmes votes përfaqësuesit e tyre politik dhe duke sjellë një konfiguracion të ri të forcave poltike, madje, sipas tij, LSDM-ja i ka borxh shumë shqiptarëve dhe do të duhej ta dëshmonte në rast të qeverisjes duke hapur rrugën që shqiptarët në Maqedoni të jenë të barabartë në shtetformim si element kushtetues.