Dimri dhe temperaturat nën zero kanë vështirësuar më shumë gjendjen e banorëve të Hasanbegut të cilët akoma nuk kanë riparuar dëmet nga vërshimet e gushtit. Banorët thonë se po jetojnë në dhoma të ftohta dhe pa kushte elementare për jetë. Ata madje thonë se në këtë periudhë përpos prej donatorëve privat, asnjë Institucion shtetëror nuk u ka ofruar ndihmë.
“Një donator ka ardhur dhe na ka rregulluar nja dy dhoma dhe ato i kemi pa lyer brenda. Nuk ka kushte për banim, është dimër është ftohët . Sikur qenve kur u gjuhet një kafshatë. Nuk ka dal askush të na vizitojë përveç se në kohën e zgjedhjeve kur kanë ardhur dhe kanë kërkuar vota dhe premtime boshe. Nuk ja vlen asgjë, kanë ardhur vetëm për votat që të ulen në kolltukë”, tha një banor i Hasanbegut.
“Drutë çka e i kemi pasur vërshimet na i kanë marrë të gjitha, me drithëra, me orendi shtëpitë gjitha na i kanë marrë vërshimet. Vetëm këto gjëra që i kemi veshur, vetëm këto na kanë ngelur. Tash është dhe dimër, dru nuk kemi. Vërshimet na morën 8 metra kub dru për ngrohej dhe 1500 kilogram grurë. Vërshimet nuk na lanë asgjë. Lagështi kemi, dy here e lyemë me gëlqere, po përsëri lëshon muri, kemi vendosur edhe stiropol, por as kjo nuk është e mjaftueshme”.
“E kemi mbaruar shtëpinë por nuk e kemi përfunduar , kushtet e vështira, tre muaj jemi duke i larë me dore teshat. Na kanë dhënë për me ngrënë, me pi, por fëmijët duan kushte për shkollë. Ne nuk kemi mundësi tua plotësojmë ato kushte, ata duan gjerat e veta”, u shpreh një tjetër banor i Hasanbegut.
Rreth 100 familje të cilat nuk kanë arritur të krijojnë kushtet elementare për jetesë, këtë dimër do ta kalojnë në konviktin “Tome Serafinovski Seniç në Autokomandë, shkruan Alsat. Vërshimet e 6 gushtit dëmtuan mbi 5 mijë familje. Qeveria për këto familje ndau 2 miliard e 400 mijë denar. Por as këto mjete nuk zgjidhën çështjen e banimit për shumë familje të Hasanbegut.