Pjesa më e madhe e parave në buxhetin e Kuvendit për vitin 2015 ishin shpenzuar për udhëtimin e deputetëve. Revizioni shtetëror në raportin e fundit thekson se duhet të rishqyrtohet mënyra e pagesës së transportit të deputetëve pasi dyshojnë në saktësinë e faturave të dorëzuara. Deputetët marrin 30 për qind të çmimit shitës për një litër karburanti për udhëtim me makinat personale deri në vendin e punës.
Revizioni vlerëson se është e nevojshme të bëhet analizë e mënyrës së kompensimit të shpenzimeve të deputetëve për përdorimin e makinës personale, për qëllime zyrtare, në aspektin e kostos reale. Nëse konstatohen dallime të rëndësishme, të shqyrtohet kjo zgjidhje ligjore.
Në vitin 2015 deputetëve, si kompensim për pjesëmarrje në mbledhje dhe në trupat punues të Kuvendit u janë paguar një milion e dyqind mijë euro. Revizorët dyshojnë në saktësinë e faturave të dorëzuara të udhëtimit jashtë vendit nga deputetët. Revizioni ka konstatuar se paratë për udhëtime zyrtare jashtë vendit nuk janë arsyetuar në mënyrë të përshtatshme dhe krijon rrezikun e shpenzimit të paspecifikuar të parave të taksapagueseve.
“Faturat për fondet e nevojshme për udhëtimet zyrtare nuk përmbajnë specifikime për shumën e mjeteve sipas llojeve të shpenzimeve (akomodim në hotel, transport shtesë, mëditjet dhe shpenzime tjera të paparashikuara) përmes të cilit përcaktohet përdorimi specifik i mjeteve devizore”, bëjnë të ditur nga Enti Shtetëror i Revizionit.
Vitin e kaluar për ngjyrë të printerëve janë shpenzuar mbi 70 mijë euro. Pas inspektimit të faturave, revizioni ka gjetur se aspak nuk janë furnizuar ngjyrë për printerë që janë kërkuar sipas specifikimit. Zgjerimi dhe përshtatja e Kuvendit nga viti 2010 – 2015 ka kushtuar mbi 16 milionë euro. Janë nënshkruar anekse të kontratës bazë, për të cilën është dashur tender i ri, për shkak se nuk ka pasur të bëjë me punë të paparashikuara ndërtimore, siç ka njoftuar Kuvendi, konstaton Revizori Shtetëror.