Çdo i pesti banor i Maqedonisë është shpërngulur nga shteti, kështu thotë hulumtimi i Qendrës Hulumtuese Amerikane PJU. Ky hulumtim ka shfrytëzuar të dhëna nga viti 2015 nga Kombet e Bashkuara dhe e ka vendosur Maqedoninë në një linjë me Kazakistanin, Sirinë, Trinidadin dhe Tobagon dhe Portugalinë.
Njohësit e rrethanave ekonomike në vend, thonë se shkaqet për largim nga vendi janë nga më të ndryshmet, duke vënë theks të veçantë mbi aspektin financiar, sistemin arsimor të dobët në vend, si dhe sistemin e drejtësisë që në vendin tonë funksionon në mënyrë selektive. Ekonomisti Milaim Ameti, tha mes tjerash se arsyeja sociologjike ndikon në largimin nga vendi, pasi të rinjtë shohin se si nëpër vende tjera funksionon sistemi shtetëror, drejtësia dhe se si ligjet janë të barabarta për të gjithë, gjë që sipas tij, u ofron atyre më tepër siguri dhe prandaj vendosin që të largohen.
“Arsyet e largimit të tyre janë si nga aspekti financiar pasiqë në Maqedoni e dimë gjendjen, që papunësia është në nivel shumë të lartë, por edhe në aspekt profesional, sepse në vendet e Europës e shohin mundësinë profesionale për ngritje, për karrierë më të mirë, sepse kanë shkollim më cilësor dhe mund të jenë pjesë e korporatave më të mëdha ndërkombëtare, me atë që ata do të mund të ngriten vetë, të ngriten familjarët e tyre“, ka deklaruar Milaim Ameti, ekonomist.
Ameti, tha se edhe Oda ekonomike e Maqedonisë Veriperëndimore por edhe bizneset, kërkojnë rritje të pagës minimale, pasi ata vlerësojnë se ky është një faktor shumë i rëndësishëm financiar, që të rinjtë të qëndrojnë në vendin tonë. Ndërkaq, Ameti shtoi më tej se, nëpërmjet trajnimeve të ndryshme mundohen që të bëjmë ngritje të kapaciteteve që fillimisht në aspektin psikologjik të rinjtë të ndihen më të kompletuar profesionalisht.
“Mendoj se nëse ngritet vetëdija, tek të gjithë, domethënë duke filluar nga kokat, nga shteti, qeveria dhe deri tek kompanitë, besoj se ata janë të vetëdijshëm sepse shihen se çdo ditë punëtorët e kualifikuar fillojnë t’i paguajnë me paga më të larta, sepse kanë nevojë për ata. Dhe punëtorët që janë më të mirë, pra largimi i trurit nga Maqedonia është shumë evident, sepse për shumë lëmi ne nuk kemi më ekspert”, tha më tej ai.
Hulumtimi i Qendrës Hulumtuese Amerikane PJU, tregoi se 9 shtete kanë humbur një të pestën ose më shumë nga popullata. Situata më e keqe është në Bosnjë Hercegovinë, ku një e treta e të lindurve tani janë në mërgim. Pas Bosnjës në një situatë të palakmueshme renditet edhe Shqipëria ku 28 % e shqiptarëve e kanë lëshuar vendin e tyre amë, njëjtë sikurse në Xhamajkë. Në Armeni një e katërta e të lindurve në vitin 2015 kanë jetuar jashtë vendit. Raporti tregon se emigrimi ka një efekt të rëndësishëm demografik mbi shtetet. Për shembull, Shqipërinë e kanë lëshuar shumë të rinj, përderisa Trinidadin dhe Tobagon kuadro të kualifikuara lartë. Në disa raste, emigrimi midis grupeve të caktuara mund të nxisë disbalanc serioz demografik, si plakjen e popullatës dhe krijon probleme edhe në numrin e kuadrit të kualifikuar në ato vende.
Ajnur Bafqari /SHENJA/
Çdo i pesti qytetarë i Maqedonisë largohet nga… by tvshenjaofficial