Si çdo javë edhe këtë fillimjavë emisioni “Click Plus” në TV21 po sjell debate interesante dhe mjaft të nxehta. I tillë ishte sonte edhe debati me analistët Albert Musliu, Gazmend Ajdini, Sulejman Rushiti dhe Azam Dauti. Temë diskutimi ndërmjet tyre ishte se me cilën nga partitë maqedonase duhet të bëjnë koalicion partitë shqiptare dhe në çfarë kushtesh.
Sipas analistit politik, Gazmend Ajdini takimi i fundit i përbashkët me iniciativë të Ali Ahmetit kishte të bëjë me taktizimet paszgjedhore mbi formimin e qeverisë. Ai madje beson se në takimin e ardhshëm ftesës së Ahmetit do i bashkangjiten edhe Lëvizja BESA dhe PDSH-ja.
“Këto takime janë taktizime paszgjedhore, nëse ka negociata me majtas apo djathtas me VMRO – LSDM ka edhe negociata brenda bllokur shqiptar. Takimet bëhen për shkak të pozicionit në negociatat interne. Të arrihet konsensusi i partive që do të negociojnë, shpresoj të bashkohet edhe BESA dhe PDSH-ja”, theksoi Ajdini.
Thuajse të njëjtin mendim me Ajdinin e ndau edhe analisti tjetër politik, Albert Musliu, sipas të cilit ky është moment histori ku shqiptarët duhet të ulen bashkë për një kauzë të përbashkët.
“Të gjitha partitë politike shqiptare, tani e kanë momentin të ulen së bashku dhe të punojnë për të drejtat e shqiptarëve”, tha Musliu.
Nga ana tjetër ish ministri i Arsimit në rradhët e PDSH-së, Sulejman Rushiti, ishte i mendimit që të hartohet një dokument i përbashkët shqiptar para se të koalicionohet me partitë maqedonase.
“Tani është momenti që të gjitha partitë politike shqiptare, duhet që të hartojnë dokument kombëtarë dhe i cili do të përkrahet nga gjithë blloku shqiptar”, theksoi Rushiti.
Dhe në fund, analisti politik, Azam Dauti ka vlerësuar se tani është momenti që Maqedonia të shkojë në rrugë të mbarë, dhe kjo mundësi nuk duhet të lëshohet në asnjë mënyrë.
“Mendoj se tash është momenti që vendi të shkojë në rrugë të mbarë dhe pushteti si forcë e cila ka filluar rrugën në sipërfaqe kanë dalë veset e jo vlerat, ka shkuar keq e më keq secili cikël e kulminacioni është 2016, nga atje e këndej kemi vulgarizim të pushtetit duhet fituesi me fituesin të futën në koalicion, 2006 nuk u takuan VMRO e PDSH simpatizantët e PDSH festonin e tash është momenti të përcaktohet a do ndjek rrugën e të kaluarës apo të ardhmes, për mua nuk ka dilemë se cilën anë duhet të zgjedhin”, kështu vlerëson Dauti.