Vetëm disa ditë pas përfundimit të zgjedhjeve, kreu i Lëvizjes për Reforma PDSH, Ziadin Sela, ndryshon mendjen dhe takohet me oponentin e tij, Ali Ahmetin duke ju përgjigjur me automatizëm një ftese publike. Që në hapjen e fushatës parazgjedhore, Sela i kishte ftuar shqiptarët që ta votojnë Aleancën me qëllim që siç u shpreh ai, t’i heqin qafe horrat duke aluduar në BDI-në dhe Ali Ahmetin. Përveç kësaj Sela në tubime të tjera ka porositur shqiptarët se do të ishte e djegur çdo votë që shkon për Ahmetin, të cilin ditë më parë e takoi personalisht.
“Dilni votoni që t’i heqim këta që i kemi pas deri sot. Dilni që ti heqim këto hora prej shqiptarët që kanë keqpërdor gjakun, djersën, paranë dhe gjithçka të shqiptatrëve”, kishte deklaruar Ziadin Sela më 22 nëntor 2016.
“Nuk mund ti mashtroni më shqiptarët duke u thënë që po digjeshka vota shqiptare, sepse votë e djegur është çdo votë që shkon për BDI-në dhe PDSH-në. Asnjëherë më politikan që kur i prishin gjithë punët thonë s’kemi ku shkojmë po dalim nga Qeveri”, kishte deklaruar Ziadin Sela më 08 dhjetor 2016.
Në një tubim tjetër Ziadin Sela i bën thirrje që të hiqet nga skena politike dhe të jep dorëheqje kreut të BDI-së Ali Ahmeti, të cilit pas zgjedhjeve vetë ia zgjati dorën.
“Aliu edhe një çështje tjetër. Të dëgjova me vëmendje që the që shqiptarët në Sopot, në procesin e montuar janë burgos pa faj, që shqiptarët në procesin e montuar të Monstrës janë burgos pa faj. Mos harro se edhe ti ke qenë në Qeveri edhe atëherë edhe tani edhe kur ndodhi Lagja e Trimave. Kur je i pafuqishëm largohet nga skena politike, jepet dorëheqje, shkon tek populli dhe populli ta jep fuqinë dhe të bëhet krah”, pati deklaruar Ziadin Sela më 03 dhjetor 2016.
Kreu i LR-PDSH-së para fillimit të fushatës dha edhe një zotim tjetër. Sela u zotua se nuk do të merr pjesë në asnjë koalicioni pas zgjedhorë dhe nuk do të bëhet pjesë e kombinimeve matematikore.
Nëse nuk arrini të merrni legjitimitet të plotë tek shqiptarët a do ta shohim LR PDSH-në pjesë e ndonjë koalicioni pas zgjedhor?
“Asnjëherë. LR PDSH nuk është krijuar për tu bërë kombinim matematikor i Qeverive dhe hesapeve të ngushta që do t’i ketë LSDM ose VMRO. LR PDSH është formu si subjekt politik për t’i zgjedh ato të të drejta të cilat shqiptarët i përmendin ka 25 vite. Unë nuk jam I interesuar më demagogji ose lojë fjalësh”, pati deklaruar Sela më 11 tetor 2016.
Gjatë ditëve në vazhdim pritet që Sela bashkë me partnerët e tjerë në koalicionin Aleanca për Shqiptarët të mbajë edhe një takim me kryetarin e BDI-së, Ali Ahmeti. Nga takimi i parë nuk doli asnjë kusht nga platformat e tyre, ndërsa nuk përjashtuan as edhe koalicionimin me Nikolla Gruevskin dhe VMRO-në edhe pse dy subjektet këtë e kishin bërë disa herë gjatë fushatës.
Arben Zeqiri /SHENJA/
Sela u “reformua”, harroi mëkatet e BDI-së by tvshenjaofficial