Abdulla Mehmeti
Shqiptarët në Maqedoni janë të vetëdijshëm se me zgjedhjen dhe emërimin e një ose disa shqiptarëve në pozita udhëheqëse, qoftë edhe kryetar parlamenti, kryetar qeverie, ose president shteti, nuk e ndryshon pozitën e tyre në këtë shtet.*
Çdo propozim kandidati nga nëntoka kriminale, mafia politike dhe mënga e sigurimit të shtetit, për kryeministër, kryetar parlamenti, ose president shteti, pavarësisht se a është shqiptar apo pjesëtar i një bashkësie tjetër etnike, shqiptarët duhet ta kundërshtojnë fuqishëm.
Statusi i popullit shqiptar është peng i çështjes së pazgjidhur maqedonase
Shqiptarët kanë nevojë të domosdoshme për ndryshimin e konceptit të shtetit dhe ndryshimin e statusit juridik-kushtetues e politik të tyre, jo për ndryshime kozmetike në strukturat udhëheqëse të shtetit, reforma dhe ridefinime formale e të parëndësishme për interesin e përgjithshëm të popullit shqiptar në Maqedoni, të cilit aktualisht i është ngufatur statusi i pakicës kombëtare, i barabartë me statusin e bashkësive të vogla etnike: romët, turqit, vllehët, serbët dhe boshnjakët.
Në Maqedoni, pakicës etnike bullgare nuk i njihet as ky status, për shkak se politika zyrtare e shtetit bullgar dhe disa qarqe politike në vend, Maqedoninë e konsiderojnë si shtet i dytë bullgar në Ballkan, ndërsa këtu edhe fillon kundërshtimi sidomos i politikës serbe, herë haptas e herë në mënyrë të sofistikuar, në rrugë diplomatike dhe përmes rritjes së ndikimit të strukturave të ish shërbimeve sekrete, UDB-së dhe KOS-it, edhe pse Maqedonia tanimë është shtet i pavarur, duke e trajtuar Maqedoninë edhe më tej si vend i influencës serbe, me ndihmën edhe të aleatit të saj strategjik, Greqisë, duke e mbrojtur kështu vijën vertikale ortodokse në Ballkan për dalje në Mesdhe.
Çështja maqedonase është mbyllur përfundimisht, me ndarjen e territorit gjeografik të Maqedonisë në Konferencën e Bukureshtit (1913), nga Serbia, Bullgaria dhe Greqia. Republika e sotme e Maqedonisë është krijuar vetëm në një pjesë të këtij territori të njohur historikisht si krahinë e Maqedonisë, ndërsa pjesën dërmuese të territorit të këtij shteti e përbëjnë trojet etnike shqiptare, ku ata janë autoktonë që me krijimin e botës.
Ky është edhe shkaku i njohjes pakusht të Maqedonisë së pavarur nga faktori shqiptar, përderisa Greqia vazhdimisht e konteston emrin e këtij shteti, Bullgaria nuk ia pranon gjuhën dhe identitetin e kombit të ri maqedonas, ndërsa Serbia thirret në të drejtën historike, duke ia kontestuar kishën dhe të drejtën e formimit të shtetit të pavarur. Nga këto arsye Maqedonia edhe aktualisht njihet nga bashkësia ndërkombëtare si ish republikë jugosllave!
Pikërisht me këtë gërshetim të ndikimeve fillojnë edhe ndeshjet e interesave mes shteteve fqinje të Maqedonisë, pozicionimi gjeostrategjik dhe influenca e fuqive të mëdha në këtë rajon, me këtë duke prodhuar krizë të vazhdueshme politike në këtë shtet, e cila do të vazhdojë deri në gjetjen e një zgjidhje të qëndrueshme në të ardhmen. Në këtë gërshetim kompleks të influencës dhe ndeshjes së interesave gjeostrategjike, ndikimi i faktorit shqiptar vendës dhe i shtetit shqiptar, duhet të jetë më i madh dhe i drejtpërdrejtë, në interes të tyre dhe të ardhmes së këtij shteti, paqes dhe sigurisë në rajon dhe më gjerë.
Përfaqësimi formal i shqiptarëve në pushtet është i parëndësishëm
Përgjatë historisë, shqiptarët që në kohën antike e deri më sot kanë pasur përfaqësues në organet e larta drejtuese, figura të rëndësishme në strukturat udhëheqëse edhe të Perandorisë Romake, Bizantine, Osmane, më vonë në Mbretërinë Serbo-Kroate-Sllovene, në ish Federatën Jugosllave dhe ish Republikën Socialiste të Maqedonisë, si edhe pas pavarësimi të këtij shteti, në vitin 1991, por asgjë nuk fituan shqiptarët si popull prej kësaj race shërbëtorësh e vasalësh në shërbim të pushteteve, politikave dhe kauzave të huaja?
Disa udhëheqës shqiptarë, gjatë regjimit komunist jugosllav u ngritën në hierarkinë më të lartë politike dhe shtetërore, madje ju besuan funksione të larta në këtë federatë, si kryetarë të RSFJ-së, kryetarë të Komitetit Qendror të PKJ (promotorë të politikave globale të shtetit), të Lidhjes së Sindikatave, Lidhjes së Bashkësive Lokale, Lidhjes Socialiste dhe të organeve të tjera vitale në pushtetin federativ, si edhe pozita të rëndësishme në organet e pushtetit republikan, deri edhe të kryetarit të Kuvendit të ish Republikës Socialiste të Maqedonisë.
Nga udhëheqësit e tillë shqiptarë ,,të ndershëm”, si udhëheqës të institucioneve dhe organeve të pushtetin të atëhershëm, në nivel federativ dhe republikan, asnjëherë nuk është pritur ndonjë dobi për shqiptarët, prandaj nuk duhet të pritet as sot e në të ardhmen nga pinjollët e këtij soji të politikanëve që të ndërmarrin diçka pozitive në të mirën e shqiptarëve, sidomos për avancimin e statusit juridik-kushtetues e politik të popullit shqiptar në Maqedoni. Prandaj, së pari duhet të bëhen ndryshime rrënjësore në konceptin e këtij shteti, i cili pretendon të jetë demokratik dhe i integruar në strukturat euroatlantike, si dhe të vendosen standarde demokratike për seleksionimin pozitiv të kuadrove shqiptarë në pozitat udhëheqëse të pushtetit, jo sipas kritereve të përshtatshmërisë ndaj organeve të sigurimit të shtetit, por sipas meritave, aftësive dhe kontributit personal për zgjidhjen e kauzës shqiptare në Maqedoni.
Pastrimi me të kaluarën komuniste është domosdoshmëri
Unë nuk jam për hakmarrje dhe ngritje të fushatave denigruese ndaj këtyre figurave politike të së kaluarës, aq më pak kundër pasardhësve, familjeve dhe të afërmve të tyre, por jam këmbëngulës në kujdesin e vazhdueshëm që duhet ta kemi, për pengimin e infiltrimit të kësaj race ,,të përshtatshme” në pozita udhëheqëse, sot dhe në të ardhmen. Strategjia e qarqeve antishqiptare përherë e ka pasur dhe e ka prioritet mbrojtjen e këtyre strukturave të veta, përtëritjen radhëve të tyre dhe ruajtjen e kësaj vazhdimësie, sigurisht që jo në dobi të shqiptarëve, ndërsa udhëheqësit e përgjegjshëm të lëvizjes politike të shqiptarëve duhet ta kenë parasysh mbrojtjen nga infiltrimi i këtyre elementeve në pozita udhëheqëse, politike dhe shtetërore, së paku edhe njëqind vjetët e ardhshme.
Procesi i pastrimit me të kaluarën komuniste, që është edhe detyrim ndërkombëtar, as që ka filluar në këtë vend, e jo më të jetë kryer, përmes farsës kinse të lustrimit të figurave me të kaluar të dyshimtë komuniste, megjithatë disa rezultate formale na japin të drejtë të mendojmë se ky proces do të jetë tepër i vështirë dhe afatgjatë. Nga lustrimi i disa figurave publike deri më sot, del se shumë bartës të funksioneve të rëndësishme shoqërore, politike dhe shtetërore, jo vetëm që kanë qenë pjesë e pushtetit komunist në të kaluarën, por edhe vegla të shërbimeve sekrete të shtetit, të cilët me aktivitetet e pandërprera subversive e kanë dëmtuar rëndë lëvizjen politike të shqiptarëve edhe pas vitit 1990. Fatkeqësisht, ndikimi i kësaj fryme politike në mënyrë të drejtpërdrejtë, ose përmes strukturave të fshehta të sigurimit të shtetit, edhe sot përshkohet me pasoja të dhimbshme në indin e politikës shqiptare në Maqedoni dhe jo vetëm.
Kontaminimi i ambientit politik nga shërbimet sekrete vendëse dhe të huaja
Shqiptarët nuk janë popull pa inteligjencë që të mos dinë të vlerësojnë se, çdo dhuratë e ofruar nga armiqtë e tij të derisotëm nuk mund të pranohet si vlerë, por si thikë pas shpine, ose helm për kontaminimin e lëvizjes politike, demokratike dhe progresive të shqiptarëve dhe të ambientit politik në përgjithësi. Sidomos, nëse këto iniciativa burojnë nga qarqet antishqiptare, strukturat e sigurimit të fshehtë të shtetit, të kontrolluara aktualisht nga udhëheqësit e strukturave më të larta të bllokut politik maqedonas, me ndihmën edhe të aleatëve të tyre nga jashtë. Për aq më tepër, nëse këto iniciativa dalin nga nëntoka kriminale dhe qarqet e Akademisë Maqedonase të Shkencave dhe Arteve, e cila është kreatore e politikave më antishqiptare në vend, siç e ka të freskët opinioni vendës dhe i jashtëm, me përgatitjen dhe publikimin e Enciklopedisë më joshkencore dhe antishqiptare në historinë më të re, si dhe me përpjekjet për realizimin e projektit famëkeq për ndarjen e Maqedonisë sipas konceptit serbomadh.
Nuk mund të merret si arritje e shqiptarëve në Maqedoni zgjedhja e një figure të komprometuar në të kaluarën, vetëm pse është shqiptar, qoftë edhe për kryeministër, ose kryetar i Parlamentit, kur dihet se vasaliteti, tradhtia dhe shitja e interesave kombëtare nuk lidhen vetëm me emrin e një personi, as me përkatësinë etnike dhe fetare, por me vlerat morale dhe kombëtare, me përfshirjen ose mospërfshirjen e tij në strukturat e shërbimeve të huaja dhe qarqet antikombëtare, pa qoftë edhe kur ai posedon aftësi të dalluara intelektuale, profesionale dhe akademike.
* Mediat ruse dhe serbe, ditëve të fundit e kanë alarmuar opinionin se në Maqedoni po synohet të instalohet një kryeministër shqiptar. Sipas agjencisë ruse të lajmeve ,,Sputnik”, kandidati shqiptar për kryeministër synohet të instalohet me ndikimin e CIA-s dhe përmes kryeministrit të Shqipërisë.