Përbërja e re e Kuvendit të Maqedonisë ende nuk është konstituuar, mirëpo deputetët e Rilindjes me Besë kanë realizuar takimin e tyre të parë joformal. Siç mund të shihni në fotografi, aty janë kryetarët e Lëvizjes BESA dhe Rilindjes Demokratike Kombëtare, Bilall Kasami dhe Fadil Zenedeli, njëherit deputetë të koalicionit, pastaj deputetja Teuta Bilalli, si dhe deputetët Zeqirja Ibrahimi e Afrim Gashi.
Nuk kanë munguar as fituesit moral të këtyre zgjedhjeve, Admirim Haliti i njësisë numër 2, për të cilin në Lëvizjen Besa thonë se iu vodh mandati nga KSHZ. Prezent ka qenë edhe Arben Labënishti nga njësia numër 5, i cili nuk siguroi mandat për shkak të lojërave dhe prapaskenave kundër tij, të disa subjekteve në pushtet dhe në opozitë, bashkë me shërbimin sekret, për të cilat nga Lëvizja Besa thonë se do të flasin në të ardhmen.