Dritan Hila
Tashmë ka fituar qytetarinë harta e vizatuar në flamurin e hedhur mbi Beograd kur luajti kombëtarja jonë. Tanimë dalldia nacionaliste, po fillon të kthehet në bindje dhe njerëzit të besojnë se duhet të kthehemi në tokat që ai vizatim shenjon. Të hedhësh argumente në kohëra të ndezura është shpesh mision i pamundur. Por është më mirë, pasi dallditë e mëdha sjellin zhgënjime akoma më të mëdha, pasojat e të cilave janë fatake.
Historia nuk është treguar e drejtë me ne. Nuk ka dokumente që dokumentojnë gjuhën e ilirëve dhe as që vërtetojnë qënien tonë pasartdhës të tyre. Por bota në përgjithësi na cilëson pasardhës të tyre. Siç thotë edhe spanjolli Francisco Villar, një ndër linguistët më të mëdhenj europianë: “shqiptarët janë pasardhës të ilirëve, megjithëse për këtë nuk ka dokumente, por llogjika dhe faktet nuk e hedhin poshtë këtë tezë”.
Por sot nuk mund të kërkosh që shqiptarët të trashëgojnë edhe shtrirjen e territoriale të ilirëve. Madje as të atyre tokave që jo më herët se 200 vjet kanë qenë banuar prej nesh. Nishi, Nissius i ilirëve deri vonë ka qenë tokë shqiptare. Por sot gjurmët e tyre kanë humbur. Sanxhaku po ashtu. Gjysma e Malit të Zi ka qenë banuar nga shqiptarë. Ende mbiemrat e tyre janë katolikë të sllavizuar. Herë për inat të osmanëve dhe herë për besprerje nga Bushatllinjtë, zgjodhën të rreshtoheshin me fqinjët. Por tashmë ato toka janë malazeze dhe serbe. Sado heretike të duket, por tashmë shqiptarë atje nuk ka. Serbët dhe malazezët që banojnë aty, shqiptarët e sllavizuar, janë një etnitet i huaj për ne.
Çamëria jonë ose Thesprotia e grekëve që ende na pëlqen tan quajmë tokë të marrë, në të vërtetë nuk ka qenë kurrë e jona. Grekët kanë qenë gjithmonë aty dhe shqiptarët po ashtu. Por grekët kanë qenë gjithmonë dy herë më shumë se shqiptarët. Edhe në pashallëkun e Ali Pashës, që aq shumë na pëlqen jo për iluminizmin e pashait xhahil por si fakt i përkatësisë shqiptare të tokave, faktori shqiptar ka qenë në minorancë. Shqipëria nuk ka qenë kurrë e shtrirë deri në Artë apo Prevezë. Perandoria Otomane, po. Por ne nuk jemi trashëgimtarë të perandorisë së shpërbërë. Fati keq i bashkëkombasve tanë që ishin minorancë dhe që fqinjët e tyre nuk patën mëshirë për ta.
Për fat të keq dhe pazotësi tonën dikur, sot jemi këta që jemi. Por çfarë iku, shkoi. Sot duhet të shfrytëzojmë fatin dhe dorën që na dha së fundmi historia dhe perëndimi. Shqipëria dhe Kosova duhet të bëhen shtete funksionalë. Këto dy vende dhe banorët e tyre duhet të tregojnë se e meritojnë këtë tokë dhe hise që kanë nën diell. Ngritja e shteteve funksionalë, administratave efiçente, nivelit kulturor dhe shkencës, do të tregojnë se i kemi merituar shtetet tona. Izraeli nuk e meriton sovreanitetin dhe njohjen që i ka bërë bota, vetëm për shkak të hipotekës që ka. Dhe ka një dokumenti si Bibla. Por hebrenjtë më shumë se historia, në pranimin e shtetit të sotëm, i ka ndihmuar ngritja e demokracisë, shoqëria e hapur, shteti i së drejtës, ekonomia e lulëzuar, shkretëtirat e kultivuara. Këto janë dokumentet e pranimit, më shumë se hipotekat që kanë në xhep.
Ne dikur kemi qenë deri në Nish e përtej, e deri në Artë. Por na i morrën ose përzunë. Ata që erdhën, ngritën mbi rrënojat tona shtëpitë e tyre. I lulëzuan dhe mirëmbajtën ato toka. Sot bregdeti i Artës, Preveza, Parga, janë më të bukura se Golemi e Vlora. Dhe deri sa Nishi është më i bukur se Shkodra, Beogradi se Tirana, Arta sesa Vlora, Petrovaci sesa Shëngjini, dhe Parga sesa Durrësi, askush nuk do të na besojë se jemi autoktonë. Kur të bejmë një shtet i cili të konkurojë me atë të fqinjëve, një tokë që të jetë po aq e kultivuar sa e fqinjëve, qytete të përshtatshme për banuesit dhe të krahasueshëm arkitekturalisht me ato të fqinjëve, demokraci funksionale dhe jo tribale, shtet të së drejtës dhe jo të klaneve, atëhere po, kemi të drejtë të themi që jemi banorët më të vjetër të gadishullit dhe ju kemi mësuar qytetërimin ardhacakëve. Pa pasur nevojë për ta dëshmuar këtë për një beze të hedhur në qiellin e Beogradit.