Qyteti i Shkupit ka pranuar se bulevaret në vendbanimet shqiptare që janë në kompetenca të tij do të përfundohen në prag të zgjedhjeve lokale. Këtë nga qyteti i Shkupit e kanë thënë edhe në reagimin e djeshëm që e kanë dërguar në Tv Shenja për kronikën e cila flet se pas përfundimit të zgjedhjeve janë ndërprerë edhe punimet në Bulevardin “Xhon Kenedi” në komunën e Çairit.
“Këtyre ditëve në terren punohet në pusetën që lidh kanalizimin atmosferik që ekziston. Për shkak të kushteve jo të mira klimatike dhe temperaturave të ulëta, asfaltimi i rrugëve do të bëhet në pranverën e ardhshme”, shkruan në komunikatën e Qytetit të Shkupit.
Në muajt Mars ose Prill do të duhet të mbahen zgjedhjet e rregullta lokale. Në prononcimet për TV SHENJA edhe vetë qytetarët kanë deklaruar se autoritetet punojnë vetëm në prag të zgjedhjeve, ndërsa edhe kjo rrugë do të përfundohen në atë kohë.
“S’ka për të përfunduar sivjet fare…Ashtu ka qenë gjithmonë dhe do të jetë Maqedonia, derisa nuk formohet një qeveri stabile. Gjithmonë në Maqedoni kështu ka qenë, para fushatës gërryejnë në rrugë, ndërsa mandej, e lënë, ta shohim si do të përfundojnë”, deklaroi një qytetar.
Në muajin qershor, kur filloi rinovmi i kanalizimit në Bulevardin Xhon Kenedi, Kryetari i Qytetit të Shkupit, Koce Trajanovski, deklaroi se ky projekt do të përfundojë për tre muaj.
“Sipas marrëveshjes punët ndërtimore duhet të përfundojnë për tre muaj. Megjithatë morrëm një premtim se firma do të punojë në mënyrë më intensive që të mund të përfundojnë punimet ndërtimore deri në fillim të vitit shkollor. Kjo është deri më 1 shtator”, tha Trajanovski.
Nëqoftëse punimet do të përfundonin sipas parashikimeve dhe deklaratës se kryetarit të qytetit të Shkupit Koce Trajanovski, atëherë ata do të duhej të kishin përfunduar para tre muajve, respektivisht në muajin shtator. Por edhe sot e kësaj dite, Bulevardi Xhon Kenedi është i përgjysmuar. Edhe pse është njëri nga më të frekuentuarit, ai nuk mund të kalohet me lehtësi dhe shkakton kaos në Komunikacion. Ndërsa nga Qyteti i Shkupit deklaruan se për këtë projekt do të ndajnë 23 milion denarë.