Bashkimi Demokratik për Integrim po prêt verifikimin e rezultateve nga Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve për të vendosur për hapat e mëtejshëm.
Zëdhënësi partiak Bujar Osmani, bëri të ditur se pas publikimit të rezultateve zyrtare, BDI fillimisht do të mundohet të bisedojë me partitë shqiptare për ndërtimin e një platformë të përbashkët për çështjet e pazgjidhura kombëtare dhe më pas do të fillojë negociatat me mandatarin për qeverinë e ardhshme.
“Para çdo hapi të mëtutjeshëm duhet të presim verifikimin e rezultateve nga KSHZ-ja. Më pas fillimisht do të bisedojmë me partitë shqiptare ndërsa më pas me ato maqedonase”, njoftojnë nga Bashkimi Demokratik për Integrim..
Nga Lëvizja Besa, thonë se një ofertë eventuale nga BDI-ja do të shqyrtohej nga kryesia qendrore, megjithatë, jozyrtarisht mësohet se një pjesë e anëtarëve të kryesisë janë kundër bisedimeve me Ali Ahmetin për të cilin thonë se nuk ka kredibilitet për të folur për unfikimin e shqiptarëve dhe për të drejtat e tyre. “Ende nuk kemi marrë nga BDI-ja asnjë ofertë për bisedime rreth një platforme. Nëse do të marrim një kërkesë të tillë e njëjta do të shqyrtohej nga Kryesia qendrore e partisë”, thonë nga Lëvizja BESA.
Kryetari i LR-PDSH-së, Ziadin Sela, thotë se ky është moment historik që partitë shqiptare të unifikohen rreth një platforme për avancimin e çështjes kombëtare. Sipas tij mandatin për një nismë të tillë nga shqiptarët e ka marrë BDI-ja në zgjedhje. Megjithatë, ai mbështetjen e deputetëve të tij për qeverinë e ardhshme, Sela e kushtëzon me miratimin e një Ligji për zyrtarizmin e plotë të gjuhës shqipe dhe ndarjen proporcionale të buxhetit para votimit të qeverisë.