Përsëritja e votimit në vendvotimin 2011 në Komunën e Tearcës ka shtyrë të gjitha procedurat dhe afatet si për konstituimin e përbërjes së re parlamentare, ashtu edhe për formimin e Qeverisë. Sipas Kushtetutës dhe Kodit Zgjedhor, Kuvendi duhet të mbahet në afat prej më së voni 20 ditë pas përfundimit të zgjedhjeve, ndërsa 20 ditë pas konstituimit të Kuvendit, lideri i partisë që do të marrë mandatin nga presidenti, duhet që në afat prej 20 ditëve, t’i propozojë Kuvendit përbërjen e re të kabinetit qeveritarë dhe programin për punën e Qeverisë. Sipas këtij kalendari, afati për konstituimin e Kuvendit shtyhet për më së voni më 14 janar. Nëse kjo ndodh në ditën e fundit të afatit kushtetues, atëherë Maqedonia mund të ketë Qeveri në gjysmën e dytë të muajit janar, ose në fillim të muajit të shkurt. Afati përfundimtarë ligjor për formimin e Qeverisë atëherë do të jetë 3 shkurti. Por edhe ky afat mbetet i pasigurt dhe vlen vetëm nëse Qeveria formohet nga lideri i partisë të parë të cilës presidenti do t’i jep mandatin për formimin e Qeverisë. Por nëse dështon tentativa e parë për formimin e kabinetit qeveritarë, atëherë presidenti i kalon mandatin partisë ose koalicionit të dytë me radhë për nga numri i deputetëve të fituar në zgjedhjet e 11 dhjetorit dhe i njëjti do të ketë 20 ditë shtesë për të propozuar kabinetin qeveritarë, ku afati përfundimtar është 23 shkurti. Për votimin e kabinetit dhe programës së re të Qeverisë, nevojitet një shumicë parlamentare prej 61 deputetëve.
Arben Zeqiri /SHENJA/