Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Xhon Kirbi në seancën e djeshme të rregullt deklaroi se SHBA-ja është e shqetësuar për shkak të tensioneve të rritura politike në Maqedoni pas zgjedhjeve parlamentare më 11 dhjetor.
“Ne jemi të shqetësuar për shkak të tensioneve të rritura politike në Maqedoni pas zgjedhjeve parlamentare më 11 dhjetor dhe e dënojmë retorikën provokative nga disa liderë politikë, duke i sulmuar institucionet demokratike dhe ambasadorët e akredituar në Maqedoni. U bëjmë thirrje liderëve politikë që të ndërpresin sulmet, t’i respektojnë proceset demokratike dhe të lejojnë formim të qeverisë stabile dhe kredibile, kushtuar sundimit të drejtësisë, përgjegjësisë dhe lirive themelore. SHBA-ja është e gatshme t’i ndihmojë një qeverie të këtillë që të arrihet qëllimi afatgjatë për integrimin euroatlantik”, tha zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Xhon Kirbi.