“Nuk duhet të hapen fronte të armiqësive me faktorin ndërkombëtar, por duhet të ketë fokusim në thellimin e miqësive dhe bashkëpunimit për të vazhduar rrugën e integrimit euroatlantik, vlerëson drejtoresha e Institutit për Politikë Evropiane, Malinka Ristevska Jordanova, duke komentuar fjalimin e fundit të kryetarit të OBRM-PDUKM, Nikolla Gruevski drejtuar një pjese të ambasadorëve të huaj në vend. Sipas saj, kjo gjuhë e ashpër është e rrezikshme dhe me pasoja.
‘’Ajo është një porosi shumë e keqe që adresohet deri te Unioni Evropian, te anëtaret e saj dhe deri te institucionet e Bashkimit Evropian, sepse kjo është e papranueshme. Kjo është gjuhë e urrejtjes e cila duhet të sanksionohet. Aspekti i dytë është linja të cilën e ka ndërmarrë OBRM-PDUKM dhe kryetari i saj , Nikolla Gruevski që praktikisht hap një front më të zgjeruar të armiqësisë si brenda ashtu edhe jashtë’’, u shpreh ajo.
Mikal Vit nga Instituti Europium për politikë evropiane nga Çekia theksoi se Maqedonia duhet t’i merr gjërat në mënyrë më serioze për tu kthyer në rrugën euro-atlantike. Sipas tij, politikanët vendor duhet të përkushtohen në planin e integrimit evropian dhe jo të veprohet me standarde të dyfishta.
‘’Nëse merreni vesh për diçka ne Bruksel, atëherë duhet te njëjtën ta zbatoni në politiken e vendit. Nuk mund të luhet në dy anë, ndryshe në Bruksel ndryshe ne Maqedoni, kjo është e pamundshme. Si është e mundshme qe ministri i jashtëm i Austrisë të vjen dhe të përkrah fushatën zgjedhore të Gruevskit. Kjo sjellje e dëmton imazhin e Unionit Evropian në Maqedoni, në rajon si dhe në Bruksel. Është diçka që nuk shkon’’, u shpreh Vit.
Sipas Zhaneta Trajkovskës nga Instituti i Komunikimeve integrimet euroatlantike shpeshherë po keqpërdoren për interesa dhe qëllime të brendshme politike.
‘’Kemi keqpërdorim të euro-integrimeve nga politikanë lokal për shkak se kemi politikanë të papërgjegjshëm që nuk e kanë interesin e shtetit por të vetat apo partiake. Kemi një atmosferë armiqësore me gjithçka që është e huaj, gjithçka që është institucion ndërkombëtar dhe ishim dëshmitar para dy ditëve që dikush shfaqi armiqësi drejt bashkësisë ndërkombëtare, ambasadorëve, BE-së e të tjera’’, tha ajo.
Këto vlerësime dolën gjatë prezantimit të strategjisë për përshpejtim dhe lehtësim të aderimit të rajonit të Ballkanit Perëndimor në BE, synimi kryesor i së cilës është përfaqësimi i përbashkët, themelimi i partneriteteve dhe përmirësimi i bashkëpunimit rajonal mes tyre.