Themelimi i një shkolle të mesme në Saraj të Shkupit, nga shtatori i këtij viti, ndarja në dy subjekte juridike të gjimnazit të Tetovës, respektivisht themelimi i Gjimnazit të dytë “7 Marsi”, apo edhe ndarja në subjekte të veçanta të shkollave me mbi dy mijë e tre mijë nxënës, siç ishin gjimnazet e Strugës, Gostivarit dhe Kumanovës, nuk kanë zgjidhur përfundimisht problemin e shkollave shqipe.
Me gjithë lehtësitë që kanë sjellë këto shkolla në mbarëvajtjen e përgjithshme të arsimit në Maqedoni, prapë se prapë zgjidhjet sporadike të problemit nuk kanë mjaftuar që të rehabilitohet sa duhet rrejti i shkollave shqipe. Me këto të fundit, asnjëherë deri tani nuk është vepruar si me shkollat në gjuhën maqedonase, pavarësisht nëse ministrat kanë qenë maqedonas apo shqiptarë. Vetëm në kryeqytet, ka vendbanime të tëra shqiptare ku nuk ka mbërri ende institucioni shkollë, pa folur pastaj për qytete më të vogla shqiptare apo vendbanime pak më të largëta. Haraçina, Studeniçani, Vizbegu, të cilat nxjerrin në vit nga 300, 250 dhe 220 gjysmë maturantët nuk kanë as sot e kësaj ditë shkolla të mesme, për dallim prej disa komunave maqedonase, ku numri i nxënësve nuk është në këto shifra as për katër vite bashkë.
Në komuna të vogla maqedonase si Ilindeni dhe Radostusha, për shembull, janë themeluar shkolla të mesme, edhe pse nuk kanë kapacitete e mjaftueshme të numrit të nxënësve të paraparë me Ligj.
Konkretisht, ata nuk mund të formojnë nga katër paralele nxënë- sish për një vit shkollor, ose nga 16 gjithsej. Ligji për shkollat e mesme tregon shumë qartë se për themelimin një subjekti juridik shkollor janë të nevojshme 16 paralele, pra nga katër paralele për secilin vit. Mirëpo, si Ilindeni ashtu edhe Radostusha, nuk kanë aq numër paralelesh.
Me konkurset që publikon Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASH) numri i paraleleve nuk është më i larët se dy, kurse të njëjtat formohen me 14 dhe 20 nxënës në klasë, edhe pse Ligji e tregon qartë se për formimin e një paralele nevojiten të paktën 24 nxënës. Madje, për nxënësit maqedonas ka paralele edhe atje ku nuk ka nxënës, sikurse është rasti me disa shkolla të mesme të Shkupit, me gjimnazin e Zhitoshës apo shkollën e mesme të Vrapçishtit. Shumë prej këtyre paraleleve nuk formohen asnjëherë, sepse nuk ka asnjë nxënës maqedonas në vendbanimet përkatëse. Sakaq, me gjithë kërkesat e vazhdueshme të shqiptarëve lejet për hapjen e shkollave të mesme në gjuhën shqipe realizohen me shumë vonesë. Saraji, për shembull, priti 12 vite deri sa u bë më shkollë. Në këtë Komunë, shkruan KOHA, arsimin fillor e kryejnë 500 – 600 nxënës në vit. Komuna e Haraçinës ka tetë vite që kërkon të bëhet me shkollë, Studeniçani gjithashtu. Mirëpo, si shumë probleme tjetra të arsimit në gjuhën shqipe edhe kërkesat e tyre kanë mbetur pa epilog.
Sa interesante aq edhe paradoksale është historia e ndërtimit të Gjimnazit “28 Nëntori” në Dibër. Ai objekt u ndërtua me paratë e një donacioni turk, respektivisht të Organizatës Qeveritare “TIKA” dhe me participimin e Komunës. Për këtë shkollë shteti nuk ndau asnjë denarë, edhe pse dibranët i paguajnë shtetit taksat njëlloj si gjithë qytetarët tjerë, shkruan Koha.
Mirëpo, kur duhet të marrin shërbimet publike, për të cilat kanë paguar paraprakisht, investimet në vend që të shkojnë tek ta orientohen në vendbanimet maqedonase. Të paktën kështu ndodhën me shkollat.