Fjalimi i liderit të VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevski para KSHZ-së i cili akuzoi ambasadorët, është i papërshtatshëm vlerëson akademiku Vllado Kambovski. Ai megjithatë shtoi se deklarata e tillë është dhënë nga pozita partiake.
“Në qoftë se do të ishte dhënë nga ndonjë organ shtetëror apo përfaqësues i ndonjë organi shtetëror do ta gjykoja, por ajo është dhënë në funksion të qëndrimeve partiake, ndërsa puna ime nuk është që të gjykoj pozicione partiake”, deklaroi akademiku Vlado Kambovski.
Lideri i VMRO-DPMNE-së Nikolla Gruevski në fjalimin e tij para KSHZ-së të shtunën mbrëma tha se disa ambasadorë kanë filluar shumë të përzihen në politikën tonë të brendshme dhe patjetër duhet të ndalojnë ta bëjnë këtë. Megjithatë, Gruevski shtoi se partia mbetet e orientuar në anën perëndimore, me përkushtim për në NATO dhe BE, si dhe marrëdhënie miqësore me SHBA-në.
“Mendoj se askush nuk mund të largohet nga kjo linjë, nga mbështetja e integrimit në BE, çdo insistimi i tillë për t’u larguar nga ajo rrugë mendoj se do të ishte e dëmshme për çdo strukturë politike”, tha Kambovski, përcjell alsat.
Kambovski këto komente i bëri para debatit “Sfidat Post-zgjedhore për proceset euro-atlantike të Maqedonisë”, ku të ftuar ishin edhe disa ambasadorë. Ndërkohë në rrjetet sociale po qarkullojnë fotografi të më shumë ambasadorëve të vendosur në një kornizë përkujtimore me vija të zeza dhe qirinj për varrim. Galeria e fotografive është bërë në mënyrë anonime, ndërsa tërthorazi është thirrje për linçim të ambasadorëve të Gjermanisë, Francës, Britanisë, Italisë, BE-së si dhe ish-ndërmjetësit në Marrëveshjen e Përzhinës Piter Van Hojte dhe euro-deputetit Riçard Hovit.