Tre asociacione të biznesit bashkuan forcat në një projekt të financuar nga USAID, qëllimi i të cilit është përmirësimi i klimës së biznesit për kompanitë e vogla, me theks të veçantë tek rregullativa ligjore. Siç theksoi drejtuesi i USAID-it për Maqedoni, Xhejms Stejn, rregullativa ligjore është një element shumë i rëndësishëm për zhvillimin e çdo biznesi. Por, shkaku i ndryshimeve të shpeshta në të kaluarën, rregullativa ligjore në vend që të krijojë mundësi për rritje ekonomike, është shndërruar në një pengesë për afaristët në tentimet për rritjen e biznesit të tyre.
“Për shembull, në vitin 2015, Kuvendi ka miratuar 541 ligje, 57% prej të cilave janë krijuar brenda natës, pa pasur paraprakisht një debat publik. Edhe pse Qeveria me këto ndryshime ndoshta tenton që të përmirësojë rregullativën ligjore, kjo është shndërruar në një sfidë të vërtetë për bizneset, në mënyrë që ata të jenë në rrjedha me ndryshimet dhe t’u adaptohen atyre”, ka deklaruar Xhejms Stejn, USAID-Maqedoni.
Në kuadër të projektit 4-vjeçar, është paraparë krijimi i një faqeje të internetit, ku kompanitë do të kenë në dispozicion të gjitha ndryshimet ligjore. Gjithashtu, do të organizohen trajnime, forume, info sesione për kompanitë dhe për stafin e odave ekonomike të përfshira në këtë projekt.
“Kjo është hera e parë që tre oda ekonomike në Maqedoni të bashkohen për të zbatuar një projekt që synon përmirësimin e rregullativës afariste. Kjo sinergji, paraqet një precedent të mirë, sepse zëri i bizneseve tona do të jetë më i zëshëm dhe përfshirja e komunitetit të biznesit më i gjerë. Zbatimi i drejtë i legjislacionit si një parakusht për shtetin e së drejtës, është qëllimi i parë strategjik i odës tonë”, tha Fatmir Bytyqi nga OEMVP.
Projekti i titulluar “Partneriteti për rregullativë më të mirë afariste” është përkrahur nga USAID, ndërsa do të realizohet nga Epi Centar, Oda Ekonomike e Maqedonisë, Oda Ekonomike e Maqedonisë Veri-Perëndimore dhe MASIT.
Abdulla Berisha /SHENJA/
Projekt për përmirësimin e rregullativës… by tvshenjaofficial